Njohësit e arsimit në Kosovë po e shohin me shqetësim mbylljen e shkollave nëpër fshatra. Sipas tyre ndonëse ky trend është në rritje, është befasuese mosreagimi institucional në lidhje me këtë çështje.
Ata kanë treguar edhe shkaqe e braktisjes të shkollave si dhe hapat që duhet t’i ndërmarrin institucionet në lidhje me këtë.
Drejtori i Instituti “EdGuard” Rinor Qehaja, u shpreh i befasuar nga mosreagimi i institucioneve përgjegjëse që merren me ristrukturimin e shkollave.
“Mbyllja e shkollave do të jetë trend në rritje për shkak edhe të projeksioneve në rritje për ulje demografike të numrit të nxënësve. Nuk është befasuese, të tilla projeksione i kemi nga Agjencioni Statistikave, mirëpo është befasuese mos reagimi i institucional që për më bërë atë ristrukturimin e nevojshëm të shkollave në nivel vendi në mënyrë që të gjitha hapësirat shkollore të shfrytëzohen në mënyrë efiçientë dhe maksimale në çdo komunë dhe për çdo nxënës”, tha ai.
Ai tha se një numër i madh zonave rurale do të kenë problem me numrin e nxënësve, për këtë arsye sipas tij, është e domosdoshmëria që të ketë një ristrukturim dhe rikoncentrim të nxënësve në shkolla në zonat më urbane.
“Një numër i madh i fshatrave, pra zonat rurale në nivel vendi pa dyshim që do ta kenë problem numrin e nxënësve për mësimdhënës dhe shfrytëzimin e këtyre hapësirave shkollore. Andaj edhe domosdoshmëria që të kemi një ristrukturim dhe rikoncentrim të nxënësve në shkolla në zonat më urbane aty ku është e mundur, mirëpo të kemi edhe një tavan të numrit të nxënësve për një shkollë rurale ku nuk cenohet pastaj as interaktiviteti, por as zhvillimi social i nxënësve për shkak të numrit të vogël atje prej 10 vetave ose pesë vetave në një shkollë”, tha ai.
Qehaj tha se për këtë fenomen shteti duhet që të ketë një evidencë statistikore me numrin e nxënësve, në proporcion me shkollat si dhe numrin e nxënësve në proporcion me mësimdhënësit. Ai tha se ky problem kërkon një konsensus nacional dhe një politik të qëndrueshëm.
“Pikë së pari neve na nevojitet një evidencë e mirëfillte statistikore se kush është numri i nxënësve në shkollat tona, kush është numri i nxënëseve si proporcion me hapësirat shkollore që i kemi ne dispozicion, numri i nxënësve në proporcion me numrin e mësimdhënësve dhe gjitha këto karshi edhe projeksioneve demografike nga Agjencioni i Statistikave. Pra të gjitha këto së bashku me plotë indikator të tjerë do të mund të na ofronin një pasqyre të mirëfillte të gjendjes aktuale dhe si mundësi pastaj për çfarë do intervenimi në nivel politikash që duhet të vijnë nga niveli qendror. Kjo çështje është shumë e ndjeshme për tu deleguar te komuna, kjo çështje nevojitet dhe kërkon një konsensus nacional dhe një politik të qëndrueshëm që vije si produkt i një debati të gjerë me përfshirje të mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve dhe një produkti shumë cilësorë të një evidence statistikore se kush është gjendja sasiore”, tha ai.
Eksperti i arsimit Argjend Osmani, ka thënë se arsyet e mbylljeve të shkollave në vend janë si shkak i migrimit të popullësisë.
Ai tha se migrimi është po ndodh brenda Kosovës, pasi ka lëvizje të popullsisë nga fshatrat në qytete, si dhe migrimi masis që po ndodh në vendet evropiane.
“Së pari kemi të bëjmë me migrimin që është mjaftë i theksuar në Kosovë dhe ky migrim është duke u realizuar pra në dy dimensione, fillimisht brenda vetë Kosovës kemi lëvizje të popullsisë nga fshatrat në drejtim të qyteteve dhe pastaj është edhe migrimi masovik që është në drejtim të vendeve të zhvilluara ku njerëzit dëshirojnë një jetesë më të dinjitetshme. Përpos këtyre kisha me cek edhe zvogëlimin e natalitetit që pa dyshim është edhe një faktor që në mas të madhe e ka sjell këtë fenomen për të cilin vështir edhe të gjendet zgjidhje”, tha ai.
Ai shtoi se ky trend mund të ndalet nëse shteti punon më tepër përgjegjësi, koncentrohet në krijimin e një mjedis më të favorshëm për investime të huaja si dhe hap vende të reja të punës.
“Shteti duhet të punoj më tepër përgjegjësi, të koncentrohet në krijimin e një mjedis më të favorshëm për investime të huaja, të hapen edhe këto vende të reja të punës dhe të krijohet një perspektiv për të rinjtë të mos ngulfatet ekonomia, siç është ngulfatur në këto vitet e fundit dhe thjeshtë të ju krijojmë një të ardhëm të rinjve tanë që edhe ata ta kenë si ta themi një mundësi që të jetojnë dinjitetshëm në këtë vend. Fatkeqësisht deri me sot nuk mund të themi që është punuar mjaftueshëm në këtë drejtim”, tha ai.
/TV Malisheva