Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut informon se në seancën e sotme ka marrë vendim për ndryshimin e vendimit për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në operacionin e NATO-s “KFOR” në Republikën e Kosovës.

Vendimi parasheh rritjen e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të Ushtrisë së RMV-së në operacionin “KFOR” në Republikën e Kosovës duke dërguar shtesë 35 ushtarë.

“Vendimi u mor në bazë të rekomandimeve të përfaqësuesve të lartë ushtarakë në NATO dhe konkluzioneve të arritura në takimin e shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve anëtare të nismës së bashkëpunimit në mbrojtje, me qëllim forcimin e sigurisë së Republikës së Kosovës”.

“Për pjesëmarrje në operacionin e NATO-s dërgohen 70 pjesëtarë të Ushtrisë, për një periudhë gjashtëmujore, e llogaritur nga nëntori 2023 deri në maj 2024. Me këtë ndryshim të Vendimit, numri i përgjithshëm me të cilin do të marrim pjesë në operacionin “KFOR” në Republikën e Kosovës do të arrijë në 101 pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.

/TV Malisheva

Share.