Ministria e Ekonomisë ka ngritur shqetësimin mbi humbjet komerciale të KEDS-it si pasojë e kyçjeve të paautorizuara në rrjetin energjetik, duke thënë se një gjë e tillë vetëm gjatë vitit të kaluar ka shkaktuar humbje deri në 110 milionë euro.

Në një komunikatë për media thuhet se dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike.

Ndërsa për vitin 2022, sipas ministrisë, vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare apo 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”.

“Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen. Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike. Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Ekonomisë thotë se janë duke ndërmarrë masa për të ofruar ndihmën e nevojshme në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike dhe do të jetë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë.

Ajo kërkon nga qytetarët që përveç kursimit të energjisë elektrike, të raportojnë secilin rast të vjedhjeve të energjisë kudo që ata i vënë re, pasi që kjo do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike./TV Malisheva

Share.