Shtrenjtimi i energjisë elektrike në masën 15.4 për qind rrezikon që shumë biznese të falimentojnë në vend, sidomos ndërmarrjet e vogla.
Këto biznese nuk përjashtojnë mundësinë e falimentimit në rast se qeveria nuk merr ndonjë masë për lehtësimin e faturave me energji. Ndërkohë, të njëjtit paralajmërojnë edhe shtrenjtimin e çmimeve për produktet e tyre.
Kurse, zyrtarët të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për KosovaPress do t’i subvencionojnë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.
Menaxheri i njërës nga bizneset në Prishtinë, Hysni Gashi thekson për KosovaPress se ky vendim për shtrenjtimin e rrymës është në një kohë të gabuar. Sipas tij, në rast se nuk reagon qeveria, do të falimentojnë si biznes.
“Qeveria nuk e di a e ka studiuar këtë vendim, veç është shumë i gabuar, sidomos në këtë kohë post pandemisë. Jemi ballafaquar mjaftë në pandemi me kriza të mëdha dhe tash edhe shtrenjtimi i energjisë, inflacioni, punëtor nuk ka, nuk e di se qysh mbijetojnë bizneset… Duhet të reagojë qeveria nëse ja ka mësyrë kësaj pune, duhet të bëjë pako më shumë t’ju ndihmojë bizneseve… Përndryshe do të falimentojmë”, tha Gashi.
Edhe pronarja e një biznesi tjetër në kryeqytet, Anita Samahodaj pohon se shtrenjtimi i rrymës po e vështirëson veprimtarinë e biznesit të tyre.
Samahodaj thekson po ashtu se me rritjen e energjisë elektrike e kanë të detyrueshme t’i rrisin edhe çmimet e produkteve.
“Shtrenjtimi i rrymës na ka vështirësuar punën edhe neve si biznes që jemi. Patjetër po duhet t’i rrisim çmimet, përndryshe edhe falimentojmë… Kërkojmë edhe prej qeverise që me marrë masa pak që të na ndihmojë”, tha Samahodaj.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se si rrjedhojë e vendimit të ri të ZRrE, Qeveria do t’i subvencionojë familjet për konsum deri në 800 kWh, dhe po ashtu do t’i mbështes familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.
“Si përgjigje ndaj vendimit të ri të ZRrE, ne do t’i subvencionojmë familjet për konsum deri në 800 kWh. Do t’i subvencionojmë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente. Për më tepër, do të subvencionojmë edhe pajisje tjera shtëpiake, jo vetëm për ngrohje. Gjithashtu, për herë të parë do të subvencionojmë bizneset e vogla për të blerë pajisje efiçente. Pra, në vend që të subvencionojmë importin e shtrenjtë, do të ndihmojmë familjet e bizneset për të ulur shpenzimet e energjisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
/TV Malisheva