Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përshëndeti sot projektligjin e Senatit amerikan, i cili parasheh bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën ushtarake.

Mehaj potencoi se ngritja e kapaciteteve, trajnimi dhe operacionet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sipas këtij projektligji ushtria jonë së bashku do të angazhohen në trajnime dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake të udhëhequra nga SHBA. Ngritja e kapaciteteve tona, shkollimi, trajnimet, misionet dhe operacionet ushtrake, janë zhvilluar dhe do të zhvillohen gjithnjë në bashkëpunim dhe me mbështetje SHBA-të si partneri ynë strategjik.”, shkroi Mehaj në Facebook.

Projektligji vjetor për mbrojtje i Senatit do ta shtojë Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake amerikane gjatë kohës kur tensionet janë të rritura në Ballkan. Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, për të cilin Senati është planifikuar të fillojë diskutimet këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, listë kjo e vendeve, e cila përfshin edhe rivalin e Kosovës, Serbinë.

/TV Malisheva

Share.