Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar lidhur me blerjen e raketave dhe armatimit të ri të Serbisë nga Kina.

Mehaj tha se me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë.

“Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia.Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro- vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj.”, tha ministri Mehaj.

Mehaj pyeti se nga kush po rrezikohet Serbia dhe për çfarë po armatoset, duke i quajtur këto veprime hipokrite.

“Nga kush rrezikohet Serbia, apo kundër kujt armatoset Serbia me sistemet më të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse?Ç’është kjo hipokrizi?Deri kur me këto standarde të dyfishta?Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.”, shtoi Mehaj.

Me këtë rast, ministri Mehaj ka kërkuar nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë./TV Malisheva

Share.