Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar ndaj akuzave të kryeministrit Albin Kurti i cili pas nisjes së grevës në arsim e ka quajtur SBASHK-un si pjesë e ish-qeverisjes PAN.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se kryeministri Kurti duhet të ofrojë zgjidhje për kërkesat e grevistëve.
“Tash, e paska quajtur SBASHK-un sindikatë të PAN-it. Cilit PAN?! Nuk ka PAN. Ka grevë! SBASHK-u nuk po tregohet partner fleksibil, por gatishmëria që fëmijët të vuajnë, vetëm e vetëm që Albin Kurti të quhet i “pathyeshëm” nga militantët e tij, është mentalitet diktatorial”, ka shkruar ai.
Për më tepër, Krasniqi ka akuzuar Kurtin se për të karriget e pushtetit janë më të rëndësishme se karriget e nxënësve që po vazhdojnë të mbesin të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të arrogancës së tij.
“Shkollat i mbylli për nxënës, por i hapi për zgjedhje të Vetëvendosjes, sepse për Albin Kurtin, karriget e pushtetit janë më të rëndësishme se karriget e nxënësve tanë që po vazhdojnë të mbesin të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të arrogancës së tij. E kam thënë edhe në Kuvend se kryeministri merret me armiq imagjinarë e jo me probleme të qytetarëve. Në krizën më të madhe të arsimit që nga vitet e ’90-ta, Kryeministri ushqen fantazitë e tij, larg brengave dhe problemeve që po rriten çdo ditë në Kosovë. Tamam si një Don Kishot që lufton me mullinjtë e erës”, ka shkruar tutje Krasniqi.
Ai ka theksuar se qytetarët nuk kanë votuar të kenë një kryeministër i cili e lë popullin pa arsim e fëmijët pa shkollim.
“Jam i bindur se qytetarët nuk kanë votuar që sot të përballen me këtë mentalitet dhe tendencë të kryeministrit për t’i nënshtruar të gjithë. Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për zgjidhje konkrete të problemeve, jo për fjalë të thata e inate. Ka nevojë për lidership që e ruan dinjitetin e secilit qytetar e jo për lider që krijon ndasi edhe më të mëdha në shoqëri. Lëviz nga vendi, Kryeministër! Ofro zgjidhje! Ktheji fëmijët në shkolla!”, ka thënë Krasniqi./TV Malisheva