Lirimi i Hysni Gucatit është hap i mbarë për lirimin e krerëve të tjerë, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Kështu ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë një vizite që sot bëri së bashku me disa nga deputetët e kësaj partie në shtëpinë e ish-kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.
Gucati duke mirëpritur krerët e PDK-së, tha se sot ka ardhur si “zog pa krahë” dhe se ka lënë edhe shtatë bashkëluftëtarë të tjerë, për të cilët gjithë Kosova i pret të vijnë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se pret që nga Haga të lirohen edhe bashkëluftëtarët e tjerë.
“Pa dyshim, se është një nga lajmet më të gëzueshme jo vetëm të këtyre ditëve, por edhe të kësaj periudhë lirimi i Hysni Gucatit. Erdha sot me bashkëpunëtorët e mi nga PDK-ja për të uruar Hysniun dhe familjen e tij, por edhe për të shprehur edhe këtë gëzim që ndjej që një nga çlirimtarët, të cilët e kanë mbajtur për kaq kohë në Hagë, që sot është i lirë dhe i është bashkuar familjes së vet. Ne shpresojmë shumë që edhe shumë shpejt do t’i kemi edhe çlirimtarët e tjerë duke filluar nga Nasimi që presim shpejt, por po ashtu shpresojmë edhe përfundimin që sa më shpejt të proceseve gjyqësore të të gjithëve për t’i pasur sa më shpejt pranë nesh, mesin tonë afër familjarëve të tyre dhe për të qenë brenda Kosovës dhe pranë qytetarëve që gjithmonë i kanë mbështetur e po i mbështesin edhe sot e kësaj dite” tha Krasniqi.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se gëzimi ynë për lirimin e Gucatit është i përgjysmuar derisa të lirohen edhe bashkëluftëtarët e tjerë. Musliu tha se Gjykatën Speciale në Hagë e konsideron si gjykatë jo të drejtë dhe si gjykatë politike.
“Jashtëzakonisht e lumtur për lirimin e Gucatit. Normal, gëzimi jonë është i përgjysmuar derisa të lirohen edhe bashkëluftëtarët tjerë. Unë prej fillimi e kam cilësuar si gjykatë (gjykatën speciale) jo të drejtë dhe gjykatë politike dhe shpresoj qe shumë shpejt të lirohen dhe të na vijnë fitimtarë edhe të tjerët që po mbahen pa drejtësisht në Hagë”, tha Musliu.
Deputeti tjetër i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se është gëzim për të gjithë edhe pse i vonuar, ai tha se çdo ditë po vërtetohet që drejtësia e gjykatës është politike.
“Shumë mirë. E kemi pritur me gëzim edhe pse është gëzim i vonuar, drejtësi e vonuar, por prapë se prapë është shumë mirë që po ndodh si lirim që sa më shpejt t’i bashkëngjiten edhe bashkëluftëtarët e tjerë që po mbahen padrejtësisht në Hagë, dhe çdo ditë e më shumë po vërtetohet që kjo gjykatë më shumë është politike se sa e drejtësisë”, tha Lushtaku.
Edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë se shpreson se do të lirohen edhe bashkëluftëtarët e tjerë që ndodhen në Hagë, pasi që edhe ata janë të pafajshëm.
“Ka qenë një lajm i gëzueshëm, për vetë faktin që e kemi ditur që po mbahen padrejtësisht dhe të pafajshëm, por është një hap i mirë që shpresojmë edhe të tjerët që janë të takohen me familje dhe të kthehen në vendi e tyre, sepse kemi konsideruar dhe vazhdojmë të konsiderojmë se është një proces politik i bazuar dhe i thirrur në emër të drejtësisë”, tha Nura.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë modifikuar dënimin ndaj Gucatit, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.
Në maj 2022, Gucati së bashku me ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së Nasim Haradinaj u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë, ndërsa më pas Apeli ua ulin dënimet për tre muaj.
Që të dy u arrestuan më 5 shtator 2020 dhe që atëherë gjendeshin në mbajtje në Hagë.
Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, nuk është liruar me kusht nga burgu në Hagë si ish-kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati.
/TV Arbëria