Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë së kësaj partie, deputetët e Grupit Parlamentar dhe kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga kjo parti, dje dhe sot kanë zhvilluar takime për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para sesionit vjeshtor parlamentar.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se në këto takime është vlerësuar se gjendja socio-ekonomike dhe politike po përkeqësohet nga inflacioni rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat, mungesa e investimeve kapitale, si dhe diskriminimi i skajshëm që qeveria po ua bën komunave.
“Si parti shtet-formuese, lidere e opozitës dhe që udhëheqë me 8 komuna, ndërsa bashkëqeveris në 9 sosh, me prioritet interesin shtetëror e qytetar, PDK do të angazhohet maksimalisht në të gjitha format dhe kapacitetet për të dhënë kontributin e vet, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti se ka braktisur qytetarët.
“Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve. Në Kryesi, Kuvend dhe nëpër Komuna – PDK-ja do të punojë dhe kërkojë që shteti dhe Qeveria të jenë më afër qytetarëve në periudhën e tyre më sfiduese pas luftës, ndërsa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë kemi hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim. Tjetër rrugë nuk ka!, ka thënë Krasniqi.