Në pikën kufitare në Merdare marrëveshja për dokumentet e udhëtimit ka vazhduar të zbatohet edhe gjatë ditës së sotme nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë. Qarkullimi i njerëzve dhe mallrave në këtë pikë kufitare është duke u zhvilluar normalisht në hyrje-dalje.

Zëvendëskomandanti i stacionit policor në Podujevë, togeri Fehat Gashi prapa kamerës ka thënë për KosovaPress se që nga mesnata marrëveshja për dokumentet është duke u zbatuar 100 për qind pa asnjë problem nga pala kosovare dhe ajo serbe.

Qytetarët të cilët kanë kaluar në këtë pikë kalim kufitar kanë vlerësuar marrëveshjen si një e arritur për shtetin e Kosovës.

Sylë Xhekaj ka thënë se Kosova është shtet dhe kjo marrëveshje për letërnjoftimet ishte dashur të zbatohet kaherë.

Xhekaj: Marrëveshja për dokumentet është e mirë

“Marrëveshja për dokumentet është e mirë, edhe i lumtë kryeministrit Kurti. Ishte dashur moti me qenë të vendosur sepse edhe ne jemi shtet, jo vetëm ata (Serbia)”, theksoi Xhekaj.

Qytetari tjetër Din Muhadri uron që ujdia për letërnjoftimet të zbatohet vazhdimisht nga pala serbe.

Muhadri: Urojmë të zbatohet marrëveshja

“Marrëveshja është një plus dhe një e mirë për ne, urojmë të zbatohet nga pala serbe… është një vendim i mirë dhe lehtësim për qytetarët, por ta shohim”, theksoi ai.

Ndërsa, Reshat Qamili ka theksuar se marrëveshja është e mirë për Kosovën, dhe autoritetet e Kosovës siç tha ai nuk bën kurrsesi të lëshojnë pe ndaj Serbisë.

Qamili: Marrëveshja është e mirë, nuk bën me lëshua pe

“Nuk kanë mundësi ata (Serbia) me u shtyrë me neve, ne jemi të fortë, kryeministrin Kurti e kemi të fortë i jepi komplimente, marrëveshje të mira janë bërë. Kjo është në të mirë të shtetit tonë, por ne duhet të punojmë ende më shumë. Ende mbrapa jemi me do çështje. Tendencat e Serbisë janë të mëdha, të lëshojmë pe nuk bën jemi të fortë”, theksoi ai.

Ndërsa, reciprociteti për vendosjen e letrave ngjitëse nëpër targa po vazhdon të zbatohet nga të dyja shtetet.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme në Merdare nuk pati pritje të gjata nga bashkatdhetarët për kalim hyrje-dalje në këtë pikë kufitare./TV Malisheva

Share.