Komuna e Drenasit gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë një aksion që për qëllim kishte mbrojtjen e hapësirës publike e cila shtrihet pranë rrugës “Ilaz Kodra” në Drenas.

Hapësira publike e cila ishte sipërfaqe e gjelbëruar në vazhdimësi është keqpërdorë për parkingje nga disa biznese për vite të tëra. Për më tepër, ato hapësira të gjelbra janë uzurpuar dhe në to është vendosur rërë dhe kubëza, pa leje nga drejtoria komunale përkatëse.

Edhe pse keqpërdoruesit disa herë janë paralajmëruar për këto veprime, ata kanë vazhduar me të njëjtin ritëm. Për këtë arsye, sot janë vendosur pengesa metalike, dhe ajo pjesë është bllokuar për qasje nga automjetet.

Me këtë rast, Komuna e Drenasit u bën thirrje të gjithë uzurpatorëve të pronës publike dhe qytetarëve që të mos e dëmtojnë pronën publike si e mirë e përbashkët, por ta ruajnë dhe të kujdesen për të.

Kjo hapësirë, pas  pastrimit do të rregullohet dhe gjelbërohet, si dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Ju kujtojmë se shfrytëzimi i hapësirës publike për qëllime komerciale mund lejohet vetëm pas  vlerësimit të drejtorisë përkatëse dhe lejes adekuate. Përndryshe, për çdo shkelje do të veprohet në përputhje me ligjin në fuqi me gjoba dhe konfiskim të inventarit.

Aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./Tv Malisheva

Share.