Në kuadër të Institutit Veror të Teach For Kosova dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është zhvilluar diskutim me udhëheqës të arsimit nga diaspora e Kosovës. Ata kanë treguar mënyra se si diaspora mund të përfshihet më shumë në zhvillimin e arsimit në Kosovë derisa kanë theksuar se ka nevojë të investohet më shumë në lexim si dhe në krijimin e një dege të veçantë të analizës së aplikuar të sjelljes.
Egzon Gashi nga Teach for Kosova, ka thënë se synojnë që të sjellin në Kosovë kontributin e diasporës për pjesën më të ndjeshme të shoqërisë.
“Diaspora gjithmonë ka qenë një shtytje e veçantë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën në zhvillimet e tyre në aspekte të ndryshme, por jo edhe aq shumë në fushën e edukimit. Për këtë, kam menduar që përmes Teach for Kosova mund të krijojmë një lëvizje ku kemi edhe njerëz të diasporës që duan të kontribuojnë në arsim, që kthehen në Kosovë për të kontribuuar në arsim dhe që duan të zhvillojnë së bashku pjesën më të ndjeshme të shoqërisë”, ka thënë ai.
E mësimdhënësja e gjuhës suedeze dhe angleze në një shkollë në kryeqytetin e Suedisë, Suzana Aliu, ka folur për rëndësinë që ka lexim-kuptimi.
“Unë si studente në Suedi, kur kisha për të shkruar teme diplome vendosa të vijë në Kosovë dhe të bëjë një lloj hulumtimi sa i përket lexim kuptimit. Kështu, dëshira ime për të kontribuar filloj aty, mirëpo edhe më herët. Kam parë që më të vërtetë ka nevojë për të bërë përmirësime sa i përket si lexohet, çfarë libra lexohen, përzgjedhja e titujve a janë adekuate për moshën, mirëpo edhe për shoqërinë, sepse një libër duhet shumë analizuar për të ju përshtatur çdo grup moshë. Lexim-kuptimi është aq thelbësore sa u përket të gjitha lendeve në shkollë, nuk e pate atë në nivel është vështirë të mësohen edhe gjerat tjera. Për ne ka qenë interesante të kontribuojmë në këtë drejtim”, tha Aliu.
Tringë Krasniqi-Gashi, mësimdhënëse e fëmijëve me autizëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se çdo shkollë fillore dhe e mesme ka nevojë të ketë analistin e sjelljes.
“Vazhdimisht mundohem të theksoj që edhe Kosova, departamenti i Edukimit, në kuadër të universitetit të Prishtinës, duhet të patjetër me kriju një degë të posaçme të studimit të analizës së aplikuar të sjelljes. Kontributi im tjetër është që vazhdimisht mbaj kontakt me familje mirëpo edhe disa nga qendrat, qoftë përmes trajnimeve online ose konsultimeve… Qysh nga vitit 2012 vazhdimisht e kam përcjellur listën e analistëve të sjelljes të certifikuar, gjithmonë me shpresën që me e pa edhe Kosovën në atë listë, Kosova ende nuk është në atë listë, Shqipëria është, kemi shumë shqiptaro-amerikanë analistë të sjelljes mirëpo jo me vendbanim në Kosovë, Kosova ka nevojë. Mendoj që çdo shkollë fillore, e mesme, duhet me pas analistin e sjelljes përveç psikologut”, ka thënë ajo.
Ndërsa profesori i edukimit special, Gjergj Haxhiu që gjithashtu vjen nga SHBA-të, ka thënë se është koha që gjenerata e re të bëjë ndryshimin.
“Është koha për gjeneratën e re të fillojë të bëjë ndryshimin. Kur mendoj rreth letërsisë dhe librave, kur mendoj rreth Fan Nolit, Anton Zako Cajupit, dhe rreth të gjithë atyre shkrimtarëve të mrekullueshëm të së kaluarës, ata të gjithë kanë folur për dëshirën për liri. Liria është këtu por ajo kërkon që ne të përfshihemi, liria kërkon që njerëzit sikur Egzoni, dhe si të gjithë këta mësues të mrekullueshëm të thonë që ne do të krijojmë një gjeneratë e cila do ta bëjë Kosovën jo thjeshtë vetëm një shtet për të cilin njerëzit herë pas here mendojnë, por një shtet i cili do të bëjë diferencën, sepse kur mendojmë rreth atyre që jetojnë jashtë vendit, kur mendojmë rreth disa nga doktorët më të mirë në Europë, në SHBA, kur mendojmë rreth disa shkencëtarëve më të mirë atje, ata zakonisht kanë diçka të përbashkët – ata janë shqiptarë”, ka thënë ai.
/TV Malisheva