Turqia është në zi kombëtare pas goditjes nga tërmeti i fuqishëm si pasojë e së cilit humben jetën mijëra persona, ndërsa ende po vazhdojnë kërkimet për të gjetur njerëz nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Shkollat janë të mbyllura, institucionet, organizatat, si dhe njerëz vullnetarë janë mobilizuar për të ndihmuar të mbijetuarit në zonat e goditura.
Mësuese Teuta tregon se zonat e prekura nga tërmeti nuk janë të banuara me shumë shqiptarë.
Tabaku: Zonat e goditura nga tërmeti nuk janë të banuara me shqiptar
“Në ato zona nuk ka shumë shqiptarë, mund të them që ka pasur më parë, sidomos shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut por me kalimin e kohës kanë ardhur në këto vendet më perëndimore, Stambolli, Bursa, Izmir. Unë kam pasur fatin që në kohën e pandemisë kam dhënë mësim shumë online, mësimin e gjuhës shqipe, kam pasur nxënës nga Mallatia, familja e atij studenti është shumë mirë, ka shpëtuar nga rrënojat dhe aktualisht ndodhen në Ankara”, thotë ajo.
Teuta Tabaku e cila e ka përjetuar edhe tërmetin e vitit 1999 në Turqi, thotë se ky i fundit është aq më i rëndë sa nuk mund të krahasohet me atë të dy dekadave më parë.
Ajo thotë se pas mbylljes së shkollave kanë vendosur që të komunikojnë me nxënësit qoftë edhe për një ose dy orë në ditë, në mënyrë që të lehtësojnë anën e tyre psikologjike.
Tabaku: Shkollat janë mbyllur por po komunikojmë online me nxënësit
“Sistemi arsimor funksionon , shumë pak, sepse me të vërtetë është një gjendje kaotike, unë për shembull që jap mësimin në gjuhën shqipe duke biseduar me disa prindër e kishin të nevojshme që fëmijëve tu jepja gjysmë ore ose 20 minuta ose 10 minuta në ditë, të paktën të largoheshin pak nga kompjuterët, televizionet, fotografitë apo gjendjen që e japin kanalet televizive. Po funksionojmë nga pak çdo ditë duke i marrë një nga një, sepse ka familje që janë shkatërruar komplet, ka familje që kanë vdekur nga 4 apo 5 veta, dhe kjo është një gjendje shumë e rëndë. Mundohemi që fëmijëve jo t’u japim mësim, por duke i argëtuar nga pak ,duke futur pak metodën e mësimdhënien, këto grupet e vogla se këto janë më të ndjeshme. (Po komunikojmë) online, por vetëm nga pak, sepse edhe interneti është shumë i kufizuar, ne nuk duhet ta harxhojmë internetin kot sepse fuqitë e internetit duhet të harxhohen vetëm për zonat që janë në gjendje kaotike të rënies së tërmetit”, thotë ajo.
Hapja e shkollave thotë se pritet të bëhet nga data 13 apo 15 e këtij muaji, megjithatë për këtë mbesin ende në pritje të konfirmimit të institucioneve përkatëse.
Tabaku: Shkollat pritet të hapen nga 13 deri më 15 shkurt
“Për hapjen e shkollave mendohet, sipas drejtorive arsimore te qytetit, dhe ministrisë së arsimit, nga data 13 deri 15, deri tani nuk kanë thënë diçka tjetër. Po presim, jemi gjithmonë në pritje të rregullave apo të masave të reja që do të marrin drejtoritë përcaktore”, thotë ajo.
Mëngjesin e së hënës qytetarët në Turqi dhe ata në Siri, u zgjuan nga dridhjet e një tërmeti prej 7.8 ballësh.
Si pasojë e këtij tërmeti deri tani kanë humbur jetën më shumë se 21 mijë persona në Turqi dhe Siri.
/TV Malisheva