Në Kuvendin e Shqipërisë tashmë ka filluar seanca për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta, raporton TV Malisheva.
Por, ky i fundit duket se nuk po shqetësohet për një gjë të tillë, meqë po vazhdon agjendën e tij të planifikuar më parë.
Në një njoftim për media, nga Presidenca e Shqipërisë kanë bërë të ditur se Meta sot do të pres në takim Ansamblin Folklorik të Dibrës ‘Hazis Ndreu’, ku pritet të zhvilloht një aktivitet kulturor.
“Gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta do të nderojë me tituj edhe disa nga personalitetet e shquara të këtij Ansambli, si dhe do të mbajë një fjalë rasti”, thuhet tutje në njoftimin e presidencës.
Kujtojmë se një komision hetimor ka konstatuar se Meta ka shkelur 16 nene të Kushtetutës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit dhe se ai duhet të shkarkohet një vit përpara se t’i përfundojë mandati.
Ky Komision është ngritur nga 49 ligjvënës të Partisë Socialiste në Shqipëri, sipas të cilëve, Meta ka anuar nga opozita gjatë kohës së zgjedhjeve dhe nuk ka përmbushur detyrën e tij kushtetuese për garantimin e unitetit kombëtar.
Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet e 25 prillit, duke siguruar 74 nga 140 ulëset e Parlamentit.
Për shkarkimin e Metës duhen dy të tretat e votave dhe socialistët nuk i kanë numrat për ta arritur këtë prag. Mirëpo nëse ata arrijnë ta kalojnë propozimin e sotëm, atëherë miratimin përfundimtar duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë brenda një periudhe kohore prej 3 muajsh. /TV Malisheva