Ndërsa kryeministri Edi Rama shprehet i vendosur për të miratuar më 30 korrik ndryshimet kushtetuese, Presidenti I Republikës i bën thirrje që ta anulojë atë seancë për t’i hapur rrugën një kompromisi për reformimin e procesit zgjedhor.

Përmes një statusi në Facebook, Kreu i Shtetit vlerëson se këmbëngulja për t’i qëndruar me kokëfortësi datës 30 Korrik, që është vendosur pa pasur ndonjë objektiv konkret, e dëmton stabilitetin dhe rrugën evropiane të Shqipërisë, raporton Ora News.

“I bëj thirrje Partisë Socialiste, si forcë politike me kontribute në procesin e integrimit, që të heqë dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje të Kushtetutës. Është koha të tregojë maturinë që e ka karakterizuar në të shkuarën dhe të vendosë të parin interesin e Shqipërisë. Data 30 Korrik nuk është e lidhur me asnjë interes të Shqipërisë. 30 Korriku duhet të anulohet, për t’i hapur rrugë një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual të reformimit të rregullave zgjedhore.”

Duke I kujtuar se PS ka meritën që bëri vendin me Kushtetutë moderne përmes një procesi gjithëpërfshirës që u finalizua me Referendum Popullor, paralajmëron se, çdo dhunim i Kushtetutës do ngarkojë me përgjegjësi historike të gjithë ata që do provokojnë rendin kushtetues në vend, në themel të të cilit janë pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Meta ka edhe një thirrje për PD-në.

“I bëj thirrje Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar, që në emër të integrimit evropian, të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa u tërhequr, përpjekjet për arritjen e një produkti konsensual. Hapi i hedhur të premten, nëpërmjet një propozimi për konsensus, duhet të jetë rruga për të ecur përpara, me qëllim gjetjen e pikave që i bashkojnë palët.”

Presidenti shprehet se historia ka treguar se aktet e njëanshme dhe të nxituara, kokëfortësia, interesi momental politik, mungesa e kulturës së konsensusit dhe dialogut mes palëve, kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët për një kohë të gjatë. Ndaj ai thotë se ky gabim nuk duhet të përsëritet.

“Për këtë arsye, ripërsëris thirrjen që të gjitha palët të vijojnë punën në mirëbesim në Këshillin Politik, pa shtrëngim kohor, me objektivin e vetëm të gjetjes së konsensusit mes tyre. Është tërësisht e mundshme që të arrihet një produkt i përbashkët dhe i dakordësuar nga të gjithë. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa konsensus mes të gjitha partive kryesore politike në vend.”

Kjo thirrje vjen pas mosdakordësisë së palëve në Këshillin politik për hapjen 100 përqind të listave dhe koalicionet parazgjedhore.

Share.