Forcat britanike kanë filluar trajnimin e ushtarëve ukrainas në një program të ri për të ndihmuar në luftën e tyre kundër Rusisë.
Deri në 10,000 ushtarë ukrainas do të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar për trajnime të specializuara ushtarake që do të zgjasin disa javë. Grupi i parë u takua me sekretarin e mbrojtjes, Ben Wallace, të enjten, konfirmoi Ministria e Mbrojtjes, shkruan The Guardian.
Wallace, i cili pritet gjerësisht të nisë një fushatë për të zëvendësuar Boris Johnson si kreun e Partisë Konservatore, e përshkroi programin si fazën tjetër të mbështetjes së Britanisë për ushtrinë ukrainase.
“Duke përdorur ekspertizën e klasit botëror të ushtrisë britanike, ne do të ndihmojmë Ukrainën të rindërtojë forcat e saj dhe të rrisë rezistencën e saj derisa mbrojnë sovranitetin e vendit të tyre dhe të drejtën e tyre për të zgjedhur të ardhmen e vet”, tha ai.
Ukraina po humbet deri në 200 ushtarë çdo ditë, që do të thotë se trajnimi i përforcimeve larg kërcënimit të sulmeve ruse është tepër e rëndësishme për përpjekjet luftarake të vendit.
Rreth 1050 pjesëtarë të shërbimit britanik janë duke u vendosur për të drejtuar programin, i cili do të zhvillohet në katër vende të pazbuluara të Ministrisë së Mbrojtjes në veri-perëndim, jug-perëndim dhe jug-lindje të Mbretërisë së Bashkuar.
/TV Malisheva