Pasi e pa ekipin e tij të rikthehej nga dy gola disavantazh për të fituar një pikë në “Stamford Bridge”, Mikel Arteta ishte i kënaqur që ekipi i tij nuk u dorëzua deri në fund të ndeshjes.
Golat nga Declan Rice dhe Leandro Trossard bënë që “Topçinjtë” të ruajnë serinë pa humbje në këtë edicion të ri të garave, rekord ky që ishte mjaft në rrezik pas një penalltie të Cole Palmer dhe një goli fantastik nga Mykhailo Mudryk për 2-0 në të mirë të Chelseat.
Arteta beson se kjo ndodhi për shkak të shpirtit luftarak të lojtarëve të tij për të marrë një rezultat pozitiv.
“10 apo 15 minutat e para nuk ishim në nivelin e intensitetit të kërkuar në një derbi të Londrës. Nuk mund të bënim shumë me topin dhe nuk kishim vendosmëri të mjaftueshme për të fituar atë kur kishte shumë situata për ta bërë këtë”, ka thënë fillimisht Arteta.
“Pas kësaj, ne filluam të përmirësonim gjërat dhe filluam të merrnim më shumë kontroll në lojë, por në pjesën e dytë qëllimi ishte tjetër, intensiteti ishte tjetër, filluam të fitonim duele, filluam të luanim përpara dhe ishte një ndeshje ndryshe”.
Në fund ai pati disa fjalë edhe për golat e shënuar nga Rice dhe Trossard.
“Finalizimi i Declan është klas, sepse nuk është e lehtë të shënosh. Tjetri është një gol shumë ndryshe, me shumë cilësi dhe shumë lojtarë që marrin pjesë në atë gol që fitoi një pikë për skuadrën”, përfundoi tekniku spanjoll.
/TV Malisheva