Ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq ka deklaruar sot se “Serbia nuk është ajo që do të shkaktojë probleme në Kosovë”, por që siç thotë ai “nuk do të rrijë duarkryq derisa dikush e godet me shqelma e shuplaka”.

Ai thotë se serbët në Kosovë po kërcënohen me konfiskim të pronës private, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që obligon kthimin në RKS të targave të serbëve të Kosovës.

“Duke e njohur popullin tonë në Kosovë, ata sigurisht nuk do të pranojnë që t’u merret diçka, as me qejf e as me dhunë”, deklaroi ai në një intervistë për “Politika”.

Madje, Selakoviq shtoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vlerësuar se vendimet e fundit të Kosovës janë “kërcënim serioz për sigurinë”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar vendimin, i cili obligon kthimin në RKS të targave të komunave paralele.

Si rezultat atyre iu mundësohet regjistrimi i automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022.

Share.