Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pasi u vaksinuar me dozën e parë të vaksinës Astra-Zeneca, ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që vaksinohen me Astra-Zeneca, të cilën edhe vet e mori, si dhe Pfizer, derisa ka njoftuar se rishikimin i masave është shtyrë për shkak të paraqitjes së rastit Delta, por se ato do të rishikohen gjatë kësaj jave.
Ministri Vitia nga qendra e vaksinimit në Prishtinë, tha se nuk jemi në pozitë që të sillen sikurse nuk ka virus dhe rruga e vetme për të fituar betejën me Covid-19, është vaksinimi.
Sipas tij, Kosova është një nga vendet e rralla të rajonit dhe më gjerë që nuk ka pranuar vaksina të paaprovuara nga EMA dhe në këtë mënyrë janë siguruar dy lloje të vaksinave të mbështetura për sigurinë në dëshmi shkencore.
“Iu bëjë thirrje të qaseni në e-Kosova dhe të bëni terminë për vaksinim, asnjë qytetarë nuk mbetet pa u vaksinuar, nuk mund të mbetet pa u vaksinuar për shkak të mosçasjes në platformën. Komunitetet do iu ndihmojnë ekipet mobile për t’u regjistruar dhe vaksinuar. Kemi dhe do marrim vetëm vaksina të aprovuar por nuk do marrim as vaksina ruse dhe as kineze, nuk ka të bëjë me politikën por me sigurinë e vaksinave dhe shëndetin e qytetarëve. Nuk është koha të stigmatizohen vaksinat që po përdoren. Duhet t’i themi po vaksinave Astra-Zeneca që e mora edhe unë sot dhe Pfizer. Iu bëjë thirrje që mos të keni hezitim as më të vogël dhe të vaksinoheni”, tha ai duke shtuar se MSh ka ngritur ekipe profesionale dhe mund të administrohen deri 17 mijë doza në ditë.
Ministri Vitia theksoi se Dela po shpërndahet shpejt dhe po godet edhe moshat e reja por të vaksinuarit, edhe nëse infektohen e kalojnë më lehtë duke shmangur edhe spitalizimin.
Për rishikimin e masave, Vitia tha se për shkak të paraqitjes së rastit Delta është shtyrë paksa rishikimi i masave. Rishikimi do behët gjatë kësaj jave dhe do flitet me ekspert dhe pas rekomandimeve të tyre do të njoftohen qytetarët.
Lidhur me vaksinimin në komunat me shumicë serbe, Vitia tha se i kanë kontaktuar dhe disa nga ata në pjesën veriore kanë treguar që një numër i madh është vaksinuar dhe nuk kanë nevojë. Kurse, disa kanë kërkuar që ekipet e tyre të vaksinohen dhe në bazë të kërkesës trajnimi ka ndodhur dhe u janë dorëzuar dozat e nevojshme./TV Malisheva