Ministria bullgare e Ekonomisë dhe Industrisë hapi një konkurs për përfaqësues tregtarë në Zyrat e Çështjeve Tregtare dhe Ekonomike të Bullgarisë në Kanada, Brazil, Argjentinë, Indonezi, Nigeri, Republikën e Afrikës së Jugut dhe SHBA.
Përfaqësuesit e tregtisë do të vendosen në Otava, Brazil, Buenos Aires, Xhakarta, Abuja, Pretoria, Uashington dhe Çikago, ka njoftuar ministria të shtunën.
Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Industrisë, Nikola Stojanov tha, siç citohet nga ministria e tij, se kur ai mori detyrën, Bullgarisë i mungonin atashetë tregtarë në një të tretën e vendeve kyçe me të cilat ajo ka zhvilluar lidhje ekonomike; shumë prej tyre u tërhoqën ose u pushuan në mënyrë të paprecedentë.
Sipas fjalëve të tij, politika e ministrisë së tij gjatë muajve të fundit ka qenë e drejtuar në rifillimin e aktivitetit të përfaqësive tregtare në mbarë botën si dhe në ndryshimin e mënyrës së funksionimit të Zyrave të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike.
“Ne kemi krijuar një model për vlerësimin e punës së atasheut tregtar që nuk ka ekzistuar deri më tani. Kështu do t’i inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit tregtarë që të jenë më aktivë dhe më të orientuar drejt arritjes së rezultateve specifike”, tha Stojanov.
Shpallja e konkursit për atashe tregtar në media synon të bëjë procedurën më transparente dhe të ndihmojë Ministrinë e Ekonomisë të përzgjedhë individë të mirëpërgatitur që do të kontribuojnë në më shumë investime dhe rritje të eksporteve, tha ministri. Kandidatët duhet të kenë një diplomë Master, të jenë të rrjedhshëm në gjuhën zyrtare ose në gjuhë të pranuara në vendin përkatës, të kenë të paktën gjashtë vjet përvojë pune dhe të paktën katër vjet përvojë në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me jashtë.
Afati i fundit për aplikim është 21 Prill.
/TV Arberia