Ishin nisur dje në mëngjes për në Durrës. Aty do të shkonin për disa ditë me qëllimin që t’i kryenin disa punë. Por, dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit patën fatin e keq dhe mbetën nën gërmadhat e hotelit në Durrës ku po qëndronin, pas tërmetit të tmerrshëm i cili e goditi parmbrëmë Shqipërinë, duke e gjetur kështu vdekjen.

Familjet e këtyre dy personave jetojnë në kushte të rënda ekonomike, dy vëllezërit kanë lënë pas 6 fëmijë jetimë.

E për t’i dalë në ndihmë kësaj familjeje, Ministria e Financave ka njoftuar se ka ndarë 20 mijë euro për familjen e Shemsedin e Isa Abazit.

“Ministri i Financave Bedri Hamza me qëllim të ofrimit të ndihmës materiale për familjet e viktimave të cilat pësuan nga tërmeti në Durrës, duke u bazuar në kompetencat e tij ligjore si Ministër i financave në vështrim të paragrafit 3 të Ligjit të Menaxhimit të Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP) dhe paragrafit 2 të nenit 14 të Ligjit nr. 06/L-133 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, sot ka marrë vendim që të ndihmojë në total me shumën 20,000 Euro, duke ndarë nga 10,000 Euro për familje të viktimave të shkaktuara nga tërmeti, Shemsedin dhe Isa Abazi nga fshati Livoçë Komuna e Gjilanit”, thuhet në komunikatë

Share.