Forumi “Ulpiana” mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në vendin tonë që ka tubuar 48 folës nga 21 shtete të botës.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi tha se të kuptuarit e nevojave të diasporës është me rëndësi për çdo vend. Ajo shtoi se Kosova ka fuqi të ndërtojë shtet edhe jashtë kufijve, e ky është edhe qëllimi i krijimit të forumit “Ulpiana”.

Në panel të diskutimit qenë të pranishëm: ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla- Schwarz, ministri i Punëve të Jashtme nga Maqedonia Veriore, Bujar Osmani, sektretari shtetëror për Punë të Jashtme dhe Evropiane nga Republika e Kroacisë, Zdenco Lucić dhe zëvendësministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme, Artemis Malo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla u shpreh se ndihet e lumtur që institucionet e vendit janë të gatshme për ta bërë diasporën një prioritet për mandatin.

“Jam e lumtur që në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet tona kam gjetur një gatishmëri të madhe për ta bërë diasporën një nga prioritetet kryesore në këtë mandat. Kjo nuk është se ne mundohemi t’i bëjmë një favor diasporës sonë, por janë ata që i mbushin qytetet tona gjatë sezonës së verës. E duke e pasur këtë përvojë çdo verë, shohim që diaspora mund të sjellë diçka me më shumë rëndësi se sa financat. Përveç parave që diaspora sjell, ne kemi nevojë për përvojën e tyre nga demokracitë e zhvilluara për të parë Kosovën të arrijë fazën e njëjtë me vendet ku ata jetojnë”.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se rëndësia e diasporës është e padiskutueshme dhe ne si shtet multidemokratik kemi vendosur ta përfshijmë edhe diasporën në regjistrimin e popullatës.

“Në këtë pjesë të botës rëndësia e diasporës është e padiskutueshme, e pasfidueshme, është vetë thelbi i shoqërisë dhe kombit tonë. Pasi që jemi shtet multidemokratik dhe që kemi asimetri në diasporën tonë, kemi vendosur që kësaj radhe ta përfshijmë edhe diasporën në procesin e regjistrimit të popullsisë, duke potencuar se rreth 258 mijë njerëz janë regjistruar si anëtarë të diasporës”.

Ai shtoi se e vetmja mënyrë që ta ndalojmë migrimin, që t’i mbajmë të rinjtë tanë në vendin tonë është që t’i bashkëngjitemi BE- së.

Ndërkaq, sekretari shtretëror për Punë të Jashtme dhe Evropiane nga Republika e Kroacisë, Zdenko Lucić tha se me ruajtjen e talentit dhe duke u munduar t’i joshin njerëzit të kthehen në vend, shtetet do të parandalojnë migrimin e të rinjve.

“Është mirë për të rinjtë që të marrin njohuritë, shkathtësitë dhe burimet financiare dhe është më mirë për shtetin kur ata kthehen me ato shkathtësi në mënyrë që të zhvillojnë bizneset në vendin e tyre.

Ajo që shtetet duhet të bëjnë që ta parandalojnë migrimin është se duhet të ruajnë talentet dhe t’i joshin njerëzit që të kthehen në vend dhe të bashkëpunojnë me diasporën”.

Për ta përfunduar këtë diskutim, zëvendësministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme, Artemis Malo u shpreh se: “Sipas diasporës së Shqipërisë dhe përpjekjeve qeveritare mund të ju informoj se javën e ardhshme ne do të organizojmë një samit me qëllim për çështjet me më rëndësi që janë diskutuar sot. Ky samit shënjestron produkte me rëndësi që do të përfshijë zgjerimin e rrjeteve dhe përshtatjen me sistemet e reja”.

/TV Malisheva

Share.