Në mediat serbe qarkullon lajmi që ditët në vijim Beogradin do ta vizitojë një nga të dërguarit specialë të Kremlinit, për të nënvizuar edhe më shumë miqësinë mes dy vendeve, ose ndoshta thjesht ndikimin e Beogradit ndaj Moskës.

Diplomati Arjan Starova, i ftuar në emisionin Debat në televizionin A2, mendon se Serbia mund të përfitojë nga momentumi për të ndërmarrë një veprim agresiv, por bën një dallim nga konteksti ukrainas.

“Putin ka tentuar gjithmonë të kafshojë një copë territori, e njëjta gjë edhe Vuçiq, kemi rastin e ‘Republikës Srpska’, kemi veriun e Kosovës. Nëse shtohet numri i problemeve, duke kaluar statusin e konfliktit të ngrirë, ajo që pretendon Putin merr edhe me argumente. Vuçiq mund të përfitojë nga momentumi, ka mundësi reale, por Vuciq ia ka frikën këtij skenari sepse në Kosovë ka trupa të NATO-s, nëse vepron në Kosovë NATO do të reagojë”, shton ai.

Të njëjtin besim, Starova nuk e ka tek Bashkimi Evropian. Sipas tij, “Brukseli ndërkohë i jep karota Beogradit, me hapjen e kapitujve të integrimit, më duket krejt i pakoordinuar dhe pavend, sepse inkurajon një aktor që lëviz herë në Lindje dhe herë në Perëndim”.

Por sipas ish-ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Arben Çeku, mbërritja e të dërguarit special të Putin në Beograd ka edhe një domethënie tjetër.

“Ardhja e tij është sinjal për Vuciq që ka nevojë të rizgjidhet. Në Serbi ka forca pro NATO dhe forca radikale, radikalizimi i tyre mund ta bëjnë të paqëndrueshëm Serbinë. Në disa raste Serbia ka dhënë sinjale për njohje të Kosovës, por qëndrimi i qartë i Kremlinit i ka kujtuar fuqinë e vetos së saj, për këtë çështje. Ka pra një marrëdhënie shumë specifike, dhe i dërguari influent që do të shkojë në Beograd shërben për t’i kujtuar këtë Vuciqit”, tha ai.

Çeku, më shumë se Kosovën, në një kohë afatshkurtër sheh një tjetër objektiv në Ballkan.

“Çështja e Republikës Srpska i ngjan Donbass, ajo dëshiron të ndahet nga Bosnje Hercegovina. Ka një fuqizim të skajshëm ushtarakisht aty, dhe Putin ka tendencë për të tërhequr vija paralele me Donbassin. Është një thirrje për t’i kujtuar Perëndimit që vatrat e krizës mund të transferohen edhe në Ballkan”, tha diplomati.

/TV Malisheva

Share.