Me 104 vota pro është miratuar raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës nga pozita e presidentit të Shqipërisë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili ka thënë se kundër këtij raporti kanë votuar 7 deputetë, 2 kanë abstenuar, ndërsa 1 fletëvotim ka qenë i pavlefshëm.
Pavarësisht vendimit të Kuvendit, do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të thotë fjalën e fundit nëse Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën.
Një vendim të tillë, Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë brenda një afati tre mujor.
Kjo është nisma e dytë për Ilir Metën brenda dy viteve, ku shumica parlamentare kërkon shkarkimin e tij nga detyra.
Ngritjen e Komisionit Hetimor Meta e pati quajtur antiligjor dhe antikushtetues. Madje, ai kishte refuzuar të marrë pjesë nëpër mbledhje që mbaheshin në kuadër të këtij Komisioni. /TV Malisheva