Formimi i Agjencisë së Inteligjencës e Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), po shihet si hap esencial dhe shumë i nevojshëm në kohën kur Kosova është duke u përballur me kërcënime nga Serbia. Njohës të çështjeve të sigurisë theksojnë se kjo Agjenci do të ketë rol të rëndësishëm në mbrojtjen shtetërore dhe sigurinë qytetare.

Ata kanë theksuar se kjo Agjenci e Inteligjencës e cila do të funksionojë në kuadër të FSK-së, nuk do ta minojë rolin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) por sipas tyre, kjo do të jetë një ndihmesë për të pasi ato do të jenë hallka të lidhura të sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se krijimi i AISM- së është hap i duhur në përmbylljen e arkitekturës së sigurisë së vendit. Sipas tij, është në domenin e ushtrisë që të ketë një mekanizëm të tillë i cili mbron asetet nacionale të Kosovës..

“Sa i përket çështjes së krijimit të Agjencisë së re ushtarake në kuadër të ushtrisë së Kosovës, FSK-së unë mendoj se ky është një hap i duhur në përmbylljen e arkitekturës së sigurisë. Meqenëse tani në kuadër të Kosovës kemi disa mekanizma që merren me informacione të klasifikuara, merren me çështjet e inteligjencës që është AKI-ja, por tani edhe në aspektin ushtarak, kjo do t’i ndihmonte jashtëzakonisht shumë në shkëmbimin e informacioneve me partnerët miq të cilët i ka Ushtria e Kosovës. Është në domenin e ushtrisë që të ketë një mekanizëm të tillë i cili mbron asetet nacionale të Kosovës që janë në kuadër të ushtrisë së saj”, tha.

Ai tha se kjo agjenci nuk e minon rolin e AKI-së, sepse ato veprojnë në vetëveprimtari të ndryshme.

“Sipas projektligjit i cili ka kaluar në lexim të parë është në fushën e bashkërendimit dhe bashkëpunimeve, nuk e minon aktivitetin e AKI-së, sepse fushëveprimet janë të ndryshme. Ku dihet që AKI-ja ka pjesën civile, ka pjesë e sigurisë që atakon sigurinë nacionale, ndërsa kjo pjesë e Agjencisë se Inteligjencës ushtarake ka kryesisht aktivitetin e saj në kuadër të komponentës ushtarake të Kosovës”, tha ai.

Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë, tha se krijimi i AISM- së është esencial, pasi FSK- së i duhet kjo agjenci për të mbrojtur territorin e vendit dhe për të ofruar siguri për qytetarët.

“Unë do ta quaja esencial, jo vetëm të rëndësishëm. Ne jemi shtet i pavarur edhe sovran, ne kemi ushtrinë dhe policinë por e kemi edhe AKI-në. Ushtrisë i duhet inteligjenca për mbrojtjen e vendit, sepse do të shërbejë për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Duke pasur parasysh se në çfarë situate ndodhemi ne, është esenciale të krijohet kjo Agjenci për Mbrojtje dhe Siguri në kuadër të Ushtrisë së Kosovës, momentalisht të FSK-së”, tha ai.

Dashevci shtoi se formimi i AISM-së nuk do ta minojë rolin e AKI-së pasi ato janë zinxhirë të lidhura.

“Aspak nuk minohet roli i AKI-së, AKI bashkëpunon në mënyrë perfekte me Ministrinë e Punëve të Brendshme, AKI-ja do të bashkëpunojë edhe me Agjencinë e Mbrojtjes në këtë rast të ushtrisë, sepse janë zingjirë të lidhur, janë hallka të lidhura që dëshmojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.