Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar edhe zyrtarisht, Miroslav Lajçak, si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Këshilli i BE-së përmes një njoftimi për media thotë se detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Po ashtu detyrë e Lajçak thuhet të jetë përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe çështje tjera rajonle të Ballkanit Perëndimor.
Mandati fillestar i Lajçakut, ish ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë- Beograd do të jetë 12 muaj.
Ndryshe, presidenti i vendit, Hashim Thaçi është shprehur kundër emërimit të Lajçakut në këtë pozitë. Sllovakia është njëra nga pesë shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën dhe emërimi i tij në këtë pozitë është parë si pengesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. /Tv Malisheva