Me kruraje, djegie e temperaturë janë paraqitur pranë qendrës kryesorë të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, 26 zyrtarët kosovarë të cilët dyshohet se janë helmuar nga zarvet me vota të cilat kanë ardhur nga Serbia. Të gjithë këta persona janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Fehmi Agani’, në Prishtinë. Procesi i verifikimit të zarfeve me vota, të ardhura nga Serbia, është ndërprerë rreth orës 11:00.
Doktorët e kësaj qendre i thanë Expressit se pacientët pra 26 zyrtarët kanë pasur simptoma të temperaturës, kruarjes e djegies në fytyrë e duar.
Të gjithë ata janë referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejmë.
“Të gjithë këta pacientë ishin tek ne. I trajtuam, mirëpo i referuam për në QKUK. kishin temperaturë, djegie e kruarje në fytyrë e duar. Ishin të shqetësuar”, kanë thënë për Express, zyrtarë të Qendrës.
E ndërkohë, me gjithë rastin tashmë po merret edhe policia e Kosovës. Kjo e fundit i ka nisur hetimet.
Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Policia posedon informacionin e tillë, ndërsa lidhur me detaje ne ketë fazë adresohuni KQZ’së dhe autoriteteve shëndetësore. Ne po e trajtojmë rastin”, ka deklaruar Hoxha.
Megjithëkëtë janë 26 zyrtarë të shtetit që kanë qenë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve që kanë qenë të pranishëm në kohën kur janë hapur pesë kutitë me zarfe të ardhura nga serbia e që kanë pasur votat e serbëve që i kanë dhënë për zgjehdjet e fundit në Kosovë.
Për këtë rast për Express ka folur edhe Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit të Votuesve. Sipas tij, zyrtarët kanë shenja të alergjisë në fytyrë dhe në duar.
Ai për Gazetën Express ka deklaruar se janë 5 kuti rreth 80 litërshe që kanë ardhur nga Serbia me vota të cilat pas hapjes kanë kutërbuar.
“Janë diku rreth 26 zyrtarë që janë helmuar pra kanë marrë alergji në duar dhe fytyrë. Ne në mëngjes i kemi pas zarfet edhe aty zyrtarëve u është shfaqë alergjia. Janë 5 kuti rreth 80 litërshe që kanë ardhur nga Serbia”, ka deklaruar Buzhala për Express.
Procesi i numërimit të votave të ardhura nga Serbia ka nisur mëngjesin e sotëm. Mirëpo ai është ndërprerë pas disa munitave për shkak të kutërbimit. Policia është njoftuar për rastin.
Megjithëkëtë, në qendrën e numrit dhe rezultateve edhe të dielën po vazhdohet me rinumërimin e vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-j, gjatë kësaj jave.
Sipas zëdhënësit të KQZ Valmir Elezi deri të shtunën në mesnatë janë rinumëruar 141 prej 314 vendvotimeve dhe se ky proces po vazhdojnë edhe të dielën . Elezi, ka sqaruar se përse rinumërimi në QNR zgjat më shumë se numërimi i fletëvotimeve në vendvotime ditën e zgjedhjeve.
“Arsyeja se persë numërimi i fletëvotimeve të 2547 vendvotimeve përmbyllet brenda pak orëve pas procesit të votimit dhe rinumërimi i 314 vendvotimeve zgjatë më shumë -është se çdo vendvotim ka këshillin, anëtarët e të cilit bëjnë numërimin e atij vendvotimi, ndërsa rinumërimi këtu varet nga kapaciteti i QNR,pra janë vetëm 22 tavolina numërimi”.- Elezi.
Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e 314 vendvotimeve, që ka ardhur pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimeve dhe Rezultateve, pas gjetjeve të cilat janë bërë në këtë qendër gjatë pranimit të materialit nga këto vendvotime.