Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka arritur të kursejë 22 milionë euro të buxhetit shtetëror me anulimin e tenderit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021/2022, 2022/2023 dhe 2023/2024”, kjo pas shpalljes së tenderit të ri.
Kështu ka deklaruar të martën zëvendësministri MMPHI-së, Hysen Durmishi, me ç’rast theksoi se me hapjen e tenderit të ri, për 3 vitet e ardhshme do të shpenzohen maksimalisht 35 milionë euro.
Sipas tij, në këtë mënyrë mirëmbajtja e rrugëve do të jetë më kualitative, do të rritet konkurrenca duke ndryshuar kriteret teknike dhe në të njëjtën kohë po kursehet buxheti i shtetit.
Ai bëri të ditur se ofertat do të hapen më 31 maj, dhe se vlera e parashikuar për këtë kontratë është 11 milionë e 669 mijë e 471 euro.
Durmishi: Vetëm nga kjo kontratë buxhetit të Kosovës, ia shpëtuam rreth 22 milionë euro
“Ne e kemi anuluar tenderin ‘Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021/2022, 2022/2023 dhe 2023/2024’. Vlera e parashikuar e këtij projekti ishte 44 milionë euro. Kjo ishte kontratë kornizë 3 vjeçare, cila lejonte që menaxheri i kontratës ta rriste vlerën e kontratës deri në 30 përqind. Në fakt ky 44 milionësh bëhej 57 milionë. Nuk ka kontratë kornizë në të kaluarën që nuk është rritur për 30 %. Në fund të javës së shkuar ne e kemi shpallur tenderin e ri, ashtu siç patëm premtuar, duke e ndryshuar në tërësi edhe si koncept. Hapja e ofertave do të bëhet me datë 31 të këtij muaji… Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 11 milionë e 669 mijë e 471 euro. Do të jetë e ndarë në 14 lloto. Nëse e llogarisim për 3 vitet e ardhshme ne do të shpenzojmë maksimalisht 35 milionë euro. Vetëm nga kjo kontratë buxhetit të Kosovës, ia shpëtuam rreth 22 milionë euro”, tha ai.
Ai tha se në kuadër të kësaj kontrate kanë futur produkte të reja, të cilat do të futen për herë të parë në rrugët e Kosovës.
Durmishi: Ne në këtë kontratë i kemi futur disa produkte të reja
“Ne në këtë kontratë i kemi futur disa produkte që janë polimere në formë të rrjetave, të cilat futen nën shtresën e asfaltit, kur ka sanime, sepse kjo kontratë e mirëmbajtjes është, nuk janë rrugë të reja, në mënyrë që këto lloj rrjetave i pranojnë të gjitha llojet e ngarkesave vertikale”, shtoi ai. /TV Malisheva