Iniciativa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës ka mundësi të mbetet vetëm si ide. Në partinë e Ramush Haradinajt janë të vetëdijshëm për numrin e votave në Kuvend, por theksojnë se nëse kryeministri Kurti vazhdon me këtë qasje ndaj aleatëve ndërkombëtarë do t’i gjejnë të gjitha mekanizmat që ai të shkojë në shtëpi.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se Kurti ka eskaluar në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçmas me Shtetet e Bashkuara, mirëpo ende nuk i kanë numrat në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës
Përkundër që adreson një mori kritikash ndaj kryeministrit Kurti, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu thotë se në rrethanat aktuale është vështirë që ekzekutivi të rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit.
Kritik ndaj këtyre ideve të opozitës në situatën aktuale është deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli.
Ai ngre pyetje ndaj opozitës nëse mocioni do të bëhet në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar të nevojshme iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas zhvillimeve në veri dhe kundërshtimit të aleatëve ndërkombëtarë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre në objektet komunale. Gjithashtu, edhe për vendosjen e disa masave të SHBA-së ndaj Kosovës, ku njëra prej tyre ishte edhe përjashtimi nga “Defender 2023”.
/TV Malisheva