Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas takimit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me pesëshen e madhe sot.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka dhënë një ‘këshillë’ për qytetarët, duke thënë ‘Kurtin mos e kqyrni çka thotë, por çka bën!’
Sipas tij, nga takimi i sotëm dolën dy dorëzime dhe një pranim.
“Nga takimi sot dolën dy dorëzime dhe një pranim. U tret pozicioni i pas 24 shtatorit. Tutje, Lajçaku u takua pa asnjë kusht, ani pse nuk u kursye asnjë fjalë kundër tij. Dhe krejt në fund, u pranua oferta e sotshme nga pesëshja, e cila më tepër për nga ritmi, sesa për nga përmbajtja, do të dallojë nga e kaluara. Intensiteti vetëm sa është rritë pas ngjarjeve në veri, sepse është ky kryeministër që e ka rikthyer Kosovën në çështje sigurie, duke iu qasur veriut me polici (rend dhe ligj) që imponon një shtypje dhe përjashton një komunitet nga të drejtat politike. Tani kemi për ta parë nevojën për siguri si alibi që proceset të marrin formë. Tani do të qartësohet frika jonë “tension për asociacion””, shkroi Molliqaj.
“Ju që duartrokitët triumfin (e dyshimt) në Banjskë, por me besimin që ajo ngjarje do t’i ndrysojë rrjedhat, sot Kurti ua ngriu buzëqeshjet duke fshirë origjinën e kësaj ndjenje. Ju që kritikuat, e disa përbuzët Lajçak-un, sot u shpërblyet me një deklaratë pranuese të vazhdimsisë së dialogut, në po ato konditat e anshme. Për këdo që nuk është ende i dehur nga ndjenjat hakmarrëse, Kurti u dëshmua si politikan i vogël. Shumë i vogël. Krejt ky proces ishte për ta gjetur pikën e fortë për vete, sesi të themelojë Asociacion pa u dukur vetë i dobët, jo Kosova”, shkroi më tej ai.
Ndryshe, Kurti sot paradite priti në takim emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.
Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars), njofton ZKM.
Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Ai tregoi se e ka pranuar një plan nga ata, ndonëse nuk njoftoi më shumë mbi të, qoftë edhe nëse do ta pranojë ose jo.
Lajçak, ka thënë të shtunën se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.
Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.
Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.
Lajçak nënvizoi se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.
/TV Malisheva