Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar se tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kanë shterur kundërshtimin parlamentar për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe se duhet t’i bashkohen protestës së nesërme.
Në një konferencë për medie, në sheshin “Zahir Pajaziti”, Molliqaj tha se protesta e së shtunës do të jetë paqësore, por tha se do të ketë aksione simbolike para objektit të Qeverisë.
Molliqaj: Partitë opozitare e kanë shterur kundërshtimin parlamentar, t’i bashkohen protestës së nesërme
“E kam takuar kryetarin e LDK-së, zotëri Abdixhiku, e kam takuar nënkryetaren e PDK-së, zonjën Çitaku dhe kam komunikuar me kryetarin e AAK-së, zotëri Haradinaj. Ky i fundit ka deklaruar se do të mbështesë protestën, ndërsa LDK ka thënë se pajtohet me kërkesat tona sa i përket propozimit të ZRrE-së, njëjtë ka deklaruar edhe PDK-ja. Siç e dimë nga deklarimet publike, PDK ka shprehur një qëndrim se vet nuk do të jetë pjesë por ka arsye të protestohet. Ne prapë ju bëjmë ftesë dhe mendojmë se përtej çfarëdo qëndrimi apo historiku politik të secilit prej subjekteve opozitare, meqenëse është një vendim skandaloz dhe i rëndë besojmë se ende nuk është vonë se secili prej tyre, anëtarë dhe drejtues të këtyre subjekteve politike të jemi bashkë kur fillon protesta në orën… Partitë opozitare parlamentare e kanë shterur metodën e vet parlamentare. Kanë propozuar një rezolutë e cila për shkak të mbi votimit nga partia në pushtet nuk kanë mundur të arrijnë qëllimin”, tha ai.
Molliqaj tha se kërkesa e protestës është që të hidhet poshtë propozimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Molliqaj: Kërkesa e kësaj proteste paqësore është të hedhet poshtë propozimi i ZRrE-së
“Kërkesa e kësaj proteste është të hedhet poshtë ky propozim i ZRrE-së, pasi ky propozim në njërën anë i faktorizon ata që kanë shumë dhe i ndëshkon shumicën në këtë vend. Rrjedhimisht ne nesër ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, partitë opozitare, organizatat e shoqërisë civile, individë dhe kushdo qoftë tjetër që ndanë bindje të njëjta me ne. Jemi tërësisht të bindur se numri i madh i protestuesve nesër, të hënën vendimin e ZrRE-së do ta kthejë prapa. Ne nuk do të ndalemi jo vetëm të shtunën, por edhe përtej kësaj, derisa ky vendim mos të jetë në fuqi… Sigurisht që protesta është paqësore, por sigurisht që do të kemi edhe aksione simbolike që do të shprehin revoltën qytetare dhe tonën si PSD karshi propozimit të ZRrE-së”, shtoi ai.
Partia Socialdemokrate nesër në orën 14:00 të mbajë protestë për të kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike./TV Malisheva