Këto pamje tregojnë momentin kur forcat ruse hedhin raketa termobarike mbi qytetin e Mariupolit në Ukrainë. Sipas Daily Mail, kjo konfirmon përdorimin e paligjshëm të këtyre armëve shkatërrimtare kundër popullsisë civile. Në video shihet momenti kur raketat dalin nga një sistem TOS-1.

Bombat termobarike ose ndryshe bombat me vakum janë armë shumë më shkatërrimtare se bombat konvencionale.

Por si funksionon një armë termobarike? Në thelb, bëhet fjalë për një lloj përmbajtjeje plasëse që përdor oksigjenin e mjedisit ku përdoret për të krijuar një shpërthim me temperaturë shumë të lartë. Ndryshe nga armët shpërthyese konvencionale, ku eksplozivi me përqendrim të lartë shërben për të krijuar një shpërthim me përqendrim sa më të lartë, armët termobarike përmbajnë një përbërje kimike, e cila shërben më shumë si karburant sesa si eksploziv.

Ky model ka një varësi të lartë nga oksigjeni, i cili mundëson procesin e djegies. Ndaj këto armë përdoren me efikasitet të lartë në mot të thatë. Ato janë veçanërisht të efektshme ndaj llogoreve, bunkerëve, tuneleve dhe një game të ngjashme infrastrukture mbrojtëse. Arsyeja se përse kjo lloj arme është më e përshtatshme ndaj trupave që janë pozicionuar pas fortifikimeve është se ndryshe nga eksplozivët e tjerë, shpërthimi termobarik qëndron më gjatë në zonën e shënjestruar, duke prodhuar nxehtësi tepër të lartë, si dhe një mungesë të përkohshme oksigjeni.

Sipas një studimi të CIA-s, të vitit 2000, efektet e shpërthimit të një arme termobarike në hapësira të kufizuara janë të jashtëzakonshme. Personat pranë pikës së shpërthimit praktikisht shpërbëhen. Ata që ndodhen më në skaj, priren të përjetojnë një sërë dëmtimesh të brendshme, duke përfshirë shpërthim të timpaneve të veshëve, shtypje të organeve, kontuzione të rënda, çarje të mushkërive dhe organeve të tjera, dhe verbëri. Një pjesë e viktimave vdesin nga asfiksia, si pasojë e mungesës së oksigjenit në zonën e impaktit, i cili digjet nga reaksioni kimik i shpërthimit.

/TV Malisheva

Share.