Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev ka reaguar pasi Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së dje në Luksemburg ka shtyrë datën për konferencën e parë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, për shkak të qëndrimit kundër nga ana e Bullgarisë.
Zaev në një postim në Facebook ka shkruar se Maqedonia Veriore ka përfunduar me sukses reformat e dala nga agjenda evropiane.
“Maqedonia Veriore përfundoi me sukses reformat që u shënuan si obligim nga agjenda evropiane. Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë dhe kryetari aktual i OSBE-së, An Linde, ka sjellë mbështetje të qartë nga Suedia për aspiratat evropiane të Maqedonisë Veriore. Jemi të nderuar që do ta udhëheqim OSBE-në në vitin 2023, është njohje e kontributit të Maqedonisë Veriore si funksionim i demokracisë shumë-etnike. Me përvojën që kemi në zgjidhjen e problemeve dhe çështjet e hapura, do të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve në sfidat”, shkruan Zaev në Facebook.
Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane e Portugalisë, Paola Zacarias tha se shpreson që kjo të ndodhë në presidencën tjetër, atë sllovene.
Përfaqësuesi bullgar në takim, kishte thënë se “BE nuk e kupton sa i thellë është problem midis Shkupit dhe Sofjes”, se “kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane” dhe se “Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”.
Ndërkohë në fillim të mbledhjes u konfirmua se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për negociatat.
Vendet anëtare që mbështesin zgjerimin, edhe para takimit, në fakt ishin deklaruar “pro” fillimit të negociatave duke ftuar BE-në të mos i marrë parasysh kontestet bilaterale. Por tashmë pritet të shihet se çfarë vendimmarrje do të ketë nën presidencën sllovene.
Ministri i Jashtëm slloven Gasper Dovzan, u shpreh më herët se gjatë Presidencës sllovene të BE-së, e cila fillon më 1 korrik, zgjerimi mbetet një faktor kyç./tch/TV Malisheva