Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se serbët nga Kosova kanë propozuar në takim që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të refuzimit të Prishtinës zyrtare që ata të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit.

Ai tha se për nevojat e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale serbe, qendrat e votimit për serbët nga Kosova do të hapen në Serbinë qendrore më 3 prill.

Ai shtoi se në bisedë me serbët nga Kosova është biseduar për vendimin e Prishtinës zyrtare që të mos lejohen zgjedhjet e 3 prillit, transmeton N1.

“Në fund nuk kanë dashur të pranojnë, sepse na kanë kërkuar për pëlqimin de fakto për pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq duke shtuar se asnjë nga ato që propozoi pala serbe nuk i mjaftoi Prishtinës zyrtare.

“Ne ramë dakord që të përfshijmë kërkesën e Kosovës për bashkëpunim për të mundësuar OSBE-në dhe për të caktuar një oficer ndërlidhës për qeverinë serbe. Asgjë nga këto nuk u mjaftoi atyre. Ne u konsultuam me ekspertët tanë, kjo nuk do të thoshte njohje e pavarësisë. Jemi në një sërë gjërash të pakuptimta vetëm që serbët të dalin dhe të votojnë, por ata kërkuan vetëm një gjë – që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu thotë se pas bisedimeve me serbët “për herë të parë ka pasur qëndrime të pakoordinuara”.

“Jam i obliguar të përcjell saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe që për herë të parë nuk kemi mundur të pajtohemi dhe të bashkërendojmë aktivitetet. Kjo nuk do të thotë se ka një mos tolerancë mes nesh, por kam kërkuar nga serbët tanë nga Kosova durim, për të numëruar deri në 10, për t’u qetësuar…U kërkova të mendojnë dhe të besojnë në përvojën time, dhe në momentin në të cilin ndodhemi”, tha ai.

Sipas tij, serbët nga Kosova kanë propozuar që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ata njëzëri kërkuan që jo vetëm të tërhiqen menjëherë të gjitha institucionet, por që 435 policë në veri të lënë armët dhe të largohen nga policia rajonale. Dhe njerëzit nga jugu ranë dakord për herë të parë dhe unë i kuptoj. Unë e bëra pyetjen: OK, dhe çfarë ka më pas, nuk është problem, barrën financiare do ta marrim përsipër… Por, mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të pafundme”, ka theksuar Vuçiq.

Ai sugjeroi që bisedimet të vazhdojnë “rreth 8 ose 9 prillit”, por se do të diskutojë edhe “vetë zgjedhjet”.

“Kanë thënë se kanë besim tek unë personalisht, se po kërkojnë që pas disa ditësh t’i marr sërish dhe ndërkohë do të llogarisim edhe aspekte të ndryshme financiare”, ka shtuar ai.

Kujtojmë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se Kosova ka refuzuar propozimin e shteteve QUINT-it për lejimin e votimit të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 3 prillit.

Më herët ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje me Beogradin për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe në Kosovë.

Në një takim virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore në Prishtinë, Kurti tha se autoritetet nuk duan t’ua mohojnë të drejtën e votës serbëve në Kosovë, por se nuk mund të veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën.

/TV Malisheva

Share.