Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, përmes një deklarate lëshuar nga Departamenti i Informacionit dhe Shtypit, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit që Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë në lidhje me tarifën 100 për qind.
Në këtë njoftim thuhet se në Prishtinë po vazhdohet manipulimi me çështjen e taksës.
“Autoritetet në Prishtinë po vazhdojnë të manipulojnë temën e heqjes së taksës doganore 100 për qind ndaj për mallrat nga pjesa qendrore e Serbisë, të cilat u vendosën në nëntor të vitit 2018 dhe rezultoi me ndalimin e procesit të zgjidhjes për Kosovën. ‘Kryeministri i përkohshëm’, Albin Kurti me një gjest demagogjie, njoftoi për heqjen e tarifës nga data 1 prill, por vetëm përkohësisht dhe me kufizime të cilat përmbajnë shumë parakushte”, thuhet në këtë koment.
Po ashtu, thuhet se Kosova po detyron Beogradin që të vendosë emrin e Republikës së Kosovës në mallra, duke bërë kështu që indirekt, Serbia ta pranojë Kosovën si shtet.
“Fillimisht, Kosova po insiston në një ‘parim reciprociteti’, duke detyruar Beogradin të etiketojë mallrat nën standardet e Prishtinës, që do të thotë të bien dakord për të vendosur të vetshpallurën ‘Republikë e Kosovës’, në dokumente, gjë e cila, nënkupton njohje indirekte të këtij të ashtuquajturi shtet”, thuhet në deklaratë.
Sipas kësaj deklarate, Kosova nuk e ka zbutur aspak qëndrimin edhe pse sipas tyre, kritika ka marrë edhe nga Uashingtoni, duke shtuar se kjo qëllimshëm po e vonon procesin e dialogut. Gjithashtu u kritikua edhe reagimi i BE-së në lidhje me taksën, duke shtuar se “si një nga ndërmjetësuesit, BE-ja do të duhej të përgjigjej me një vlerësim të matur të situatës, pa favorizuar asnjërën nga palët.
“Kështu pra, kosovarët nuk e kanë zbutur qëndrimin e tyre ashtu siç kanë kërkuar mbrojtësit e tyre perëndimor, por përkundrazi ata kanë forcuar parakushtet e tyre. Thuhet se edhe Uashingtoni, i cili mbështet plotësisht “pavarësinë e Kosovës”, ka qenë kritik për veprimin e fundit të Prishtinës, i cili me qëllim po e vonon procesin e dialogut me Beogradin. Në këtë kontekst, reagimi i vrullshëm BE-së duket i çuditshëm, pasi si një nga ndërmjetësuesit, BE-ja do të duhej të përgjigjej me një vlerësim të matur të situatës, pa favorizuar asnjërën nga palët. Ne besojmë se këto hapa kundër Serbisë nga autoritetet e Kosovës, duhet të kthehen plotësisht dhe pa kushte”, thuhet në këtë deklaratë./ Tv Malisheva