Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se po vijon vaksinimi në të gjitha njësitë e vaksinimit nëpër qytetet e Kosovës, për personat mbi 65-vjeç, të regjistruar në platformën elektronike eKosova dhe sipas listave në dispozicion të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Ditën e djeshme janë vaksinuar 4.067 qytetarë, ndërsa prej fillimit të vaksinimit janë dhënë në total 50.176 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuara në të gjithë vendin.
MSH u bën thirrje qytetarëve të çdo grup-moshe, që të regjistrohen dhe të aplikojnë për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
Qytetarët mund të regjistrohen në platformën https://ekosova.rks-gov.net/, si forma më e mirë dhe më e shpejtë për t’u regjistruar për vaksinim.
Për lehtësimin e aplikimit në platformën eKosova, të gjithë të interesuarit mund t’i referohen video-udhëzimeve:
https://ekosova.rks-gov.net/Video/OO6B5z5Vt9Y
https://ekosova.rks-gov.net/Video/Hn2SJJlZppw
Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE ose OBSH.
Ndryshe, 8 të vdekur dhe 62 raste të reja me COVID-19 janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.
Numri total i rasteve pozitive është 107.065 raste nga 579.663 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.235 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 379 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 100.612 raste, ndërsa numri i rasteve aktive është 4.218./TV Malisheva