Ministria e Shëndetësisë inkurajon qytetarët e vendit që të aplikojnë për marrje të vaksinës kundër COVID-19.
MSh nëpërmjet një komunikate njoftoi se duke qenë që stoku aktual me vaksina kundër COVID-19 është i qëndrueshëm, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 vendosi që duke filluar nga java e ardhshme qytetarëve t’u ofrohet mundësia që të përcaktohen për llojin e vaksinës që do ta marrin (në konsultim me mjekun e ekipit të vaksinimit), për aq kohë sa ekziston kjo mundësi.
“Qytetarëve u bëhet thirrje që t’i qasen platformës eKosova për caktim të termineve për vaksinim kundër COVID-19. https://ekosova.rks-gov.net/Service/14 Kategoritë të cilat mund ta caktojnë termine për vaksinim janë si në vijim: Qytetarët e moshës mbi 40 vjeç. Personat me sëmundje kronike pa dallim moshe (me dëshmi mjekësore); Qytetarët që i takojnë ndonjërit nga profesionet si: Punëtorë shëndetësorë; Mësimdhënës; Forcat e sigurisë (Policia dhe FSK); pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës; pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë; pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës; zjarrfikësit; Qytetarët të cilëve u kërkohet vaksinimi nga Ambasadat për udhëtim jashtë vendit (për çështje të vizave). Zyrtarët e Agjencionit të Aviacionit; Agjencia Shtetërore e Navigimit Ajror; Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”; Zyrtarët doganorë; Gazetarët; Gastronomia-dëshmi kontrata e punës”, thuhet në njoftim.
Ministria tërheq vërejtjen se cilado kategori e qytetarëve që merr mesazhin/njoftimin për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit sipas vendbanimit të tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket.
“Të gjithë ata qytetar të cilët kanë aplikuar për marrje të vaksinës nga data 29.03.2021 – 15.06.2021 dhe nuk janë kontaktuar, njoftohen se mund ta caktojnë terminin për vaksinim në platformën e-Kosova përmes llogarive të krijuara më parë”, thuhet në njoftim./TV Malisheva