Mbi 90 për qind të punëtorëve të moshës 20 deri 40 vjeç po largohen nga Kosova, për shkak të kushteve dhe pagës së ulët që ofrohet në vend. Në mungesë të tyre, kompanitë detyrohen të punësojnë edhe pensionistë.
Mungesa e punëtorëve ka nis të vërehet pothuajse në të gjithë sektorët. Kjo pasi të rinjtë çdo ditë po migrojnë drejt vendeve evropiane, por gjatë sezonit të verës edhe po punojnë në vendet bregedetare.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Sektorin Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se ka shumë arsyeje të largimit të punëtorëve nga Kosova.
Azemi: Kaluan 20 vite dhe gjendja e punëtorëve nuk është përmirësuar
“Realisht kemi shumë arsye, arsyeja e parë është sepse më shumë se 20 vite kanë shkuar dhe gjendja e punëtorëve të këtij sektori nuk është përmirësuar në rend të parë, në rend të dytë është ajo që punëtorët e kualifikuar kanë gjetur rrugën e vet në një formë, nuk kanë shkuar por ne ia kemi imponuar që të shkojnë, pasi që nuk ia kemi dhënë hakun ashtu siç duhet dhe realisht me një pagë të cilën e kanë marrë këtu, edhe këta punëtorët e kualifikuar, përpos çështjeve elementare të vet ushqyerit, nuk kanë mundur të bëjnë asgjë”, tha ai.
Azemi thotë se në mungesë të punëtorëve, në vendet e punës po punësohen të pensionuarit.
Azemi: Punëtorët e pensionuar po hynë në punë
“Ne kemi shumë vende të punës, ku në mungesë të tyre po kemi punëtorë të pensionuar që po hyn në punë në vend të atyre që janë në moshë të re por specifikisht 90 për qind të moshës që nga 20 deri në 40 vjeçare ku orientimi i tyre parësor, është vetëm ikja jashtë, pasi që po themi nuk i kemi krijuar kushte adekuate që së paku me e ditë pjesën e vet e të mirëqenies së vet për familjet e tyre… Të rinjtë kanë marrë mësim nga gjenerata e vjetra sepse ata që kanë punuar me dekada dhe definitivisht në fund nuk kanë mundur të krijojnë një mision të mirë social dhe nga e kaluara por edhe nga vizioni që po shihet nuk ka ndonjë perspektivë absolutisht këtu dhe perspektiva e vetme është ikja nga jashtë dhe ju e dini që për vetëm dy vite themi për një periudhë 4 mujore kemi pasur mbi 200 mijë aplikime për jashtë, andaj punëtorët të rinjtë nuk shohin perspektiv në Kosovë”, tha Azemi.
Sindikata, sipas Azemit, ka marrë të gjitha veprimet të cilat janë edhe të argumentuara dhe ka tërhequr vërejtjen pronarëve të kompanive që të krijojnë kushte më të mira për punëtorët e sektorit privat.
Edhe gastronomia e spitale private, ani pse tash e disa muaj kanë hapur konkurse, po hasin në vështirësi të gjetjes së punëtorëve si kamerier, shankist, mjekë, infermier dhe terapeut.
Arian Vranica nga shoqata e Gastronomeve ka thënë se para dhe pas pandemisë, punëtorët po vazhdojnë të kenë probleme me kontratat e punës, paga të vogla dhe duke mos iu paguar kontributet nga punëmarrësit. Kjo ka bërë që të rinjtë edhe të kërkojnë punë jashtë vendit, gjë e cila është trend në rritje edhe këtë vit.
Vranica: Shumica e punëtorëve nuk dëshirojnë të punojnë pa kontrata, ata kërkojnë paga më të larta
“Po ka më shumë paraqitje të punëtorëve të cilët nuk pranojnë të punojnë pa kontrata, gjë që është shumë e mirë, mirëpo në anën tjetër është një manifestim i një krize ekonomike e cila është paraqitur me një inflacion jashtëzakonisht të madh, kështu që edhe punëtorët i kanë rritur vet kërkesat që ta kenë një pagë e cila është në përputhje pak a shumë me standardin, i cili është kriju si standard i ri. Rritja e çmimeve, rritja e shpenzimeve mujore, do të thotë normalisht nuk ka mundësi tjetër përpos që të rriten edhe të ardhurat e punëtorëve, mirëpo edhe nga ana e shtetit duhet që të jetë një lloj strategjie sepse nuk është vetëm aspekti i këtyre që i ceka por është edhe problemi i ligjit të migrimit të punëtorëve… 02:57 Duhet të vlerësohen punëtorët më shumë, duhet t’iu paguhen kontributet, sepse ai po jep një kontribut jo vetëm për biznesin, jo vetëm për familjen e vet, apo për vetin, por edhe për shtetin, duhet të jetë e formalizuar, komplet shteti duhet të punojë më shumë ” ka thënë Vranica.
Vranica mendon se problem tjetër për sektorin privat është edhe sezona verore, meqë shumica e të rinjve po kërkojnë punë në bregdetetin shqiptare dhe në vendet evropiane.
Vranica: Vendet bregedetare po i marrin punëtorët nga Kosova gjatë sezonit të verës
“Çdo vit e më shumë po paraqitet një rritje e interesit të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës në përgjithësi por të gastronomisë në veçanti që të emigrojnë drejtë vendeve të tjera, d.m.th. të Bashkimit Evropian, gjë e cila nuk është problem që po manifestohet vetëm në Kosovë, është edhe në vendet e tjera, mirëpo sidomos në pjesën e dytë të vitit prej qershorit e tutje, ka një rritje të diasporës prezent në Kosovë, por këtu po kërcënohemi edhe nga vendet bregdetare, të cilat kanë një turizëm më të shtuar në raport se sa me Kosovën. Kjo është një problematik tjetër e cila po i vështirëson punën bizneseve dhe punëtorëve në anën tjetër” deklaroi Vranica.
Vlora Shoshi, menaxhere e një spitali privat për terapi fizikale dhe rehabilitim, në një përgjigje elektronike për KosovaPress, ka thënë se tash e disa muaj kanë hapur konkurs për mjekë, infermier dhe terapeut, por që numri i të interesuarve është i zbehur, deri sa ka shtuar se kërkesat në treg për punë janë të mëdha nga sipërmarrësit.
“Në përgjithësi kemi vështirësi të vogla në sektorin shëndetësor, mjekë, infermierë dhe terapeutë. Problemet lidhen edhe me pandeminë që për 2 vite, profesionistët shëndetësor nuk kanë pasur mundësi me i përfunduar praktikën dhe procedurat e licencimit. Tash pas lirimit të masave, këtë vit ka filluar të rritet numri i të licencuarve dhe i stafit shëndetësorë, por është një rritje e vogël në krahasim me kërkesat në treg. Sa i përket kushteve të punës, ne i plotësojmë të gjitha kriteret e kërkuara për punëtorë, ndërsa sa i përket pagës, punëtorët paguhen 10-20% më shumë se në sektorin publik dhe atij të përgjithshëm në tregun e Republikës së Kosovës” ka thënë Shoshi.
Mungesën e infermierëve dhe mjekëve në Kosovë e kanë potencuar edhe sindikatat joqeveritare për të cilën edhe ishin organizuar protesta duke kërkuar nga Qeveria që të krijohen kushte më të mira për këtë sektor.
Mbrapa kamerave bizneset e sektorit të gastronomisë, kanë thënë për KosovaPress, se shumica e të rinjve në Prishtinë, janë studentë, të cilët vite më herët kanë qenë më të interesuar për të punuar në sektorin e gastronomisë, por që këtë interesim, pronarët e bizneseve, po e shohin më të vogël, pasi që të njëjtit kanë ikur jashtë vendit.