Emri i Vedat Muriqit vazhdon të lidhet me shumë skuadra të ndryshme evropiane, pas shkëlqimit me Fenerbahcen në futbollin turk.
Sulmuesi nga Kosova po kërkohet shumë në Angli, ndërsa interesim për të ka edhe nga Serie A dhe Bundesliga.
Por duket se e ardhmja e prizrenasit do të jetë në elitën e futbollit anglez, ku janë pesë skuadra të interesuara për të.
Megjithatë mediat angleze janë të sigurta se Muriqi do të zgjedh transferimin te West Bromwich Albion, skuadër që është pranë rikthimit në Ligën Premier.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri kroat Slaven Bilic e ka bërë objektivin kryesor Muriqin, teksa është gati të shpenzojë 23 milionë euro për transferimin e tij.
Daily Star ka raportuar se Muriqit i pëlqen ideja të punojë me trajnerin kroat dhe se ka pasur tanimë bisedime mes të dyve.
Bilic e sheh Muriqin si njeriun kryesor për repartin ofensivë, ndërsa kjo gjë e ka lumturuar sulmuesin e Kosovës.
Gjithsesi West Bromwich Albion fillimisht duhet ta sigurojë matematikisht rikthimin në elitë dhe pastaj të mposhtë konkurrencën e Tottenham Hotspur, West Ham United, Aston Villës dhe Burnleyt për reprezentuesin kosovar.
Edhe tifozët e WBA në rrjetet sociale janë parë të entuziazmuar për një transferim të mundshëm të Muriqit, edhe pse shumë prej tyre nuk besonin se skuadra e tyre do të ketë fatin ta transferojë yllin e Fenerbahces.
26-vjeçari këtë edicion ka shënuar 15 gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 28 ndeshje zyrtare./ Tv Malisheva