Ndonëse mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Kryeqytetit, disa prej tyre nuk kanë pasur fare tekste shkollore. Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

Ndërsa për vonesat në renovimin e shkolles “Meto Bajraktari”, Musmurati tha se presin që të përfundojnë të hënën.

Krahas kësaj shkolle, ajo tha se edhe shkolla “Gjergj Fishta”, është në renovim e sipër.

Në konferencën për medie të premten, ajo ka deklaruar se gjatë ditës do të presin një raport final për mungesat e teksteve shkollore.

“Mësimi veçse ka filluar në të gjitha shkollat e komunës së Prishtinës. Stafi veçse ka shkuar po marrim raporte. Deri më tani ka shumë shkolla që nuk kanë fare libra. Gjatë ditës do të kemi një raport të plotë në lidhje me furnizimin me libra”, tha ajo.

Musmurati tha se në tërësi në Prishtinë janë rinovuar 22 shkolla. Ndërsa dy gjimnaze, tha se i kanë bartur në një objekt tjetër deri më datë 15 shtator.

“Janë 5 shkolla në tërësi që janë në rinovim të thellë, ndërsa gjithsej i kemi rinovuar 22 shkolla. Janë shkolla ‘Meto Bajraktari’ dhe ‘Gjergj Fishta’ që janë duke mbajtur mësim me orar të shkurtuar dhe pjesë të shkollës i kemi izoluar që të mos pengojnë procesin mësimor nga e hëna presim që gjithçka t’i kthehet normalitetit. I kemi dy gjimnaze që i kemi alokuar në vende të ndryshme që të mbajnë mësimin deri më datën 15 shtator kur do të përfundojnë renovimet përfundimtare dhe ata pastaj do të vendosin në objektet e tyre. Bëhet fjala për shkollën e mesme profesionale ‘Hoxhe Kadri Prishtina’  si dhe shkollën ‘Gjin Gazulli’ të cilët po mbajnë mësim në gjimnazin ‘Ahmet Gashi’ dhe ‘Eqrem Qabej’”, tha ajo.

 

Share.