Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur kundër idesë që të mos punohet gjatë ditës së diel.

Mustafa pyeti se kush ka bërë analiza dhe kush ka ardhur në një përfundim që të pushohet gjatë së dielës është në interes të publikut.

“Pse të mos punohet ditëve të diela? Kush ka bërë analiza dhe ka ardhur në përfundim se mbyllja e dyqaneve, shërbimeve, aktiviteteve ekonomike ditën e diel nëpër komuna është në interes të publikut, të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik? Se kjo siguron 8 orë punë në ditë dhe 40 orë në javë?. Mendoj që askush, sepse vështirë është të bashkëjetojë koncepti i ekonomisë së lirë të tregut dhe i promovimit të sektorit privat si promotor i zhvillimit me ndërhyrje arbitrare në treg nga disa komuna, duke e marrë rolin e rregullatorëve ekonomik”, shkroi Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës tha se pse duhet që qytetarët të bl ejnë dhe të shërbehen në Shkup e Tiranë gjatë të dielave dhe jo në qytetin e tyre. Po ashtu, ai pyeti se pse të dielave turistët nuk mund të gjejnë shërbime në Kosovë.

“Pse ditëve të diela, qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe të shërbehen në Shkup e në Tiranë por jo në qytetin e tyre dhe nga bizneset kosovare. Pse të dielave paratë tona mund ti shpenzojmë në vendet tjera por jo në Kosovë dhe pse në këtë ditë turistët dhe vizitorët nuk mund të gjejnë shërbime në Kosovë? Ku qëndron arsyeja që për një ditë në javë të ulet kërkesa agregate në treg te ne, me efekt negativ në brutoproduktin vendor dhe në punësim, dhe kjo kërkesë të zhvendoset jashtë Kosove?”, vijoi Mustafa.

Kreu i LDK-së tha se kjo është vështirë të argumentohet me mendje racionale por arsyetohet shumë lehtë me diletantizëm.

“Prandaj shoh arsye që Autoriteti i Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të nd aluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat. Do të ishte e rrugës që bizneset të vendosin për ditët që punojnë e nuk punojnë duke e respektuar ligjin dhe orët javore të punës. Tendenca për rregullim administrativ të ekonomisë dhe të jetës së qytetarëve është recidiv i kohëve të kaluara, si e tillë shkakton deformim të sistemit ekonomik në vendin tonë”, përfundoi Mustafa.

Share.