Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar të mërkurën se kanë publikuar në Platformën e diskutimeve publike Udhëzimin administrativ për këshilltarët për karrierë në institucionet e arsimit profesional.

Siç ka bërë të ditur ajo, në këtë platformë udhëzimi në fjalë do të jetë i hapur deri më 16 qershor 2023.

“Ftoj të gjithë të interesuarit që të dërgojnë komentet dhe sugjerimet e tyre në këtë link”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se këshilltarët për karrierë kanë rëndësi të madhe për sistemin arsimor, pasi do të kontribuojnë për t’i mësuar nxënësit për të ndërtuar vetëbesimin dhe për t’i fuqizuar ata, për të identifikuar shkathtësitë e tyre, lehtësuar punësimin dhe për t’i pajisur me shkathtësi që “të lundrojnë suksesshëm në botën e punës”.

/TV Malisheva 

Share.