Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të popullatës dhe menaxhimit të situatës epidemiologjike me koronavirus, institucionet e Kosovës kanë ngritur në nivel të lartë gatishmërinë për t’u ballafaquar me raste eventuale, pas shfaqjes së tij në vendet përreth Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se me qëllim të parandalimit të koronavirusit, sot janë ndaluar fluturimet ajrore nga zonat e prekura si nga veriu i Italisë në Kosovë, për shkak të vlerësimit nga IKSHPK të rrezikut të lartë dhe veprime të ngjashme do të ndërmerren edhe në ditët në vijim.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë, deri sot nuk ka të konfirmuar asnjë rast të koronavirusit.
Pavarësisht kësaj, që nga shfaqja e rasteve të para në botë me koronavirus, ministri Vitia ka thënë se institucionet kanë hartuar dhe vënë në zbatim Planin e Gatishmërisë dhe të Reagimit për Coronavirus Covid-19, duke zbatuar masat si rritja e kontrollit dhe e hulumtimit epidemiologjik për raste të dyshimta në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” dhe në pikat e tjera kufitare.
Po ashtu përgatitja e infrastrukturës spitalore dhe resurseve profesionale për t’u ballafaquar me raste të dyshimta dhe të konfirmuara; pajisja me mjete personale mbrojtëse e personalit shëndetësore dhe personelit tjetër mbështetës në pikat kufitare në institucionet shëndetësore.
Ministri Vitia ka bërë të ditur edhe për zbatimin e udhëzimeve dhe protokolleve nga Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, lidhur me menaxhimin e rasteve të dyshuara apo të konfirmuara me koronavirus, zbatimi i Protokollit të Detektimit të Koronavirusit me RT-PCR (ECDC), sikur edhe Udhëzuesit të përkohshëm të OBSh-së për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve gjatë kujdesit shëndetësor p ër rastet e dyshimta për infeksionin Covid-19.
Gjithashtu është bërë edhe trajnimi i personalit për zbatimin e masave mbrojtëse, komunikimi me kohë për rrezikun në popullatë dhe komunikimi transparent me publikun, zbatimi i aktiviteteve të edukimit dhe promovimit shëndetësor përmes shpërndarjes së materialeve informuese dhe edukuese, si dhe ligjëratave në komunitet me qëllim të ndryshimit të sjelljes, përkatësisht përmirësimin e njohurive të popullatës rreth praktikave që mbrojnë nga virusi.
Gjithashtu, është bërë koordinimi i të gjitha institucioneve mbështetëse për zbatimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Covid-19, përgatitjen e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse në IKSHPK; ngritjen e Qendrës operative të MSh-së për të monitoruar e koordinuar gjatë tërë kohës zbatimin e aktiviteteve dhe monitorimin e situatës si dhe është ngritur Komiteti Drejtues për menax himin e situatës emergjente.
Për më tepër, ministri Vitia ka bërë të ditur se janë marrë masat edhe për ngritjen e karantinave, të cilat, në rast nevoje, do të përdoren me qëllim të menaxhimit të rasteve të ekspozuara ndaj virusit.
Por, sikur kemi mësuar edhe nga përvoja e shteteve të tjera, të cilat po ballafaqohen këtyre ditëve me këtë virus, përmasat e një epidemie si kjo e Coronavirusit nuk mund të parashikohen asnjëherë me saktësi dhe kjo na kërkon të jemi sa më të përgatitur.
Në këtë përpjekje të përbashkët, nuk ka vend për panik, por gjithsesi ka vend për më shumë kujdes