Sot (e martë) në moshën 66-vjeçare ka ndërruar jetë ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.
Lajmi u bë i ditur nga familjarët e tij përmes një postimi të publikuar në rrjetin social, Facebook.
Sot me datë 7.5.2020 ka ndërruar jetë Ahmet S. Brahimaj – Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 16:00 në lagjen Haxhiaj të fshatit Novosellë në komunën e Pejës.Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, ikonë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Brahimaj ishte një nga themeluesit e Baletit Kombëtar të Kosovës, ndërsa gjatë udhëheqjes së tij ai ka bashkëpunuar me koreografë të shquar nga e gjithë bota.
Ahmet Brahimaj ka lindur më 06.12.1953 në Novosellë, Pejë. Në vitin 1972, ai së bashku me balerinët e tjerë ishte kthyer në Prishtinë dhe kanë formuar Ansamblin e Baletit.
Ai ka luajtur në më shumë se 38 premiera baleti, e në shumë premiera të tjera të Dramës.
Si solist i baletit, Ahmeti ka qenë edhe në disa mandate drejtuese të Teatrit Popullor Krahinor, si: Anëtar i Këshillit Artistik dhe pleqësisë të Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës, Anëtar i Këshillit Artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” si dhe Anëtar i Këshillit Udhëheqës të A.K.K. V. “Shota”.
Ndër tjerash, në vitin 2010 u nderua nga Presidenti me çmimin “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e Artit të Baletit në Republikën e Kosovës. /Tv Malisheva