Kantautori i muzikës ‘reggae’ dhe kompozitori amerikan i muzikës pop, Johnny Nash, i njohur më shumë për hitin e vitit 1972 “I Can See Clearly Now” ka vdekur në moshën 80 vjeçare, ka njoftuar familja e tij.

Nash, shëndeti i të cilit ishte në rënie, vdiq në shtëpinë e tij nga shkaqet natyrore të martën, i tha djali i tij medias amerikane, shkruan BBC.

Muzikanti filloi të këndonte si fëmijë dhe debutoi në labelin e tij kryesor me këngën “A Teenager Sings the Blues” të vitit 1957.

Nash, i lindur në Hjuston, ishte një nga këngëtarët e parë jo-xhamajkanë që regjistroi muzikë ‘reggaa’ në Kingston, Xhamajka.

Kënga e tij solo “I Can See Clearly Now” shiti më shumë se një milion kopje dhe arriti në krye të listës Billboard Hot 100 në vitin 1972, ku qëndroi për katër javë.

Ai gjithashtu pati një hit që u rendit në vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1975 me “Tears on My Pillow”.

Sipas faqes së tij zyrtare, Nash ndihmoi legjendën e muzikës ‘reggae’, Bob Marleyn të nënshkruajë një kontratë me një studio regjistrimi.

Kohët e fundit, artisti filloi punën për transferimin e kasetave të vjetra analoge të këngëve të tij nga vitet 1970 dhe 1980 në një format të ri dixhital.

Përveç djalit të tij John, Nash la prapa edhe gruan e tij, Carli. /TV Malisheva

Share.