Ndeshjet e plejofit për Euro 2020 pritet të luhen në tetor dhe nëntor, edhe nëse nuk lejohen shikuesit në stadiume.
Kështu ka raportuar Daily Mail. Deri në shtator nuk do të ketë ndeshje të përfaqësueseve dhe disa prej 16 përfaqësueseve që do të garojnë në plejof, ia kanë bërë të ditur UEFA-s që nuk duan që ndeshjet e tyre të para pas koronavirusit të jenë gjysmëfinalet e plejofit.
Në gjysmëfinale të plejofit luan edhe Kosova ndaj Maqedonisë së Veriut, në Shkup. Kjo ndeshje është dashur të zhvillohet në mars, ndërsa më pas ishte shtyrë për në qershor. Por për shkak të koronavirusit, ndeshja është shtyrë sërish. UEFA nuk ka zyrtarizuar terminin e ri. Fillimisht ishte thënë se ndeshjet e plejofit do të luhen në shtator, por tani me shumë mundësi do të luhen në tetor dhe nëntor.
Po ashtu ka rrezik që ndeshjet të luhen pa shikues në stadiume.
“UEFA dhe përfaqësueset e përfshira po punojnë për atë që ndeshjet gjysmëfinale të luhen në tetor, ndërsa finalet në nëntor”, ka shkruar Daily Mail.
Në shtator pritet të nis edhe edicioni i ri i Ligës së Kombeve të UEFA-s. Më 3 shtator Kosova duhet të luajë në udhëtim me Moldavinë, ndërsa më 6 shtator të pres Greqinë. Në tetor është planifikuar të luhen ndeshjet me Slloveninë në shtëpi dhe me Greqinë në udhëtim. Në nëntor në program janë ndeshjet me Slloveninë në udhëtim dhe me Moldavinë në shtëpi.
b