Ndonëse hendbolli evropian është pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, Federata Evropiane e Hendbollit ka nisur përgatitjet për edicionin e ardhshëm, 20201. Janë bërë ndryshime në kupat evropiane për hendbollistë, që vlejnë pikërisht prej edicionit të ardhshëm.
EHF-ja ka arritur marrëveshje për të drejtat televizive me “Infront & DAZN” që është e vlefshme prej edicionit tjetër.
Janë ndërruar edhe emrat e garave evropiane. VELUX EHF Champions League do të quhet ende EHF Champions League. Niveli i dytë evropian, EHF Cup (Kupa e EHF-së) do të quhet EHF European League (Liga Evropiane). Ndërsa niveli i tretë i kupave evropiane për hendbollistë më nuk do të njihet si Challenge Cup (Kupa Sfiduese), por si EHF European Cup (Kupa Evropiane).
Federatës sonë i takon një vend në Ligën Evropiane, ku do të paraqitet kampioni. Ndërsa tri vende na takojnë në Kupën Evropiane.
Në Ligën Evropiane do të luhen dy raunde kualifikuese e më pas faza grupore. Synimet janë që kampioni ynë të arrijë në fazën grupore. EHF-ja nuk ka saktësuar ende se prej cilës fazë do të nisë garimin kampioni i Kosovës. Vetëm ndeshjet e raundit të parë kualifikues do të luhen në fundjavë. Prej raundit të dytë kualifikues ndeshjet e Ligës Evropiane do të luhen të marteve.
Ndeshjet e Kupës Evropiane, ku Kosova e ka të drejtën e paraqitjes me tri skuadra, do të vazhdojnë të luhen në fundjavë.
Rangimi i vendeve nga EHF-ja është bërë në bazë të rezultateve të skuadrave në Kupat Evropiane në edicionet e fundit. Kosova në rangim ka lënë shumë vende të regjionit prapa./ Tv Malisheva