Në 30-vjetorin e  rënies së heronjve të kombit: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu sot do të zhvillohen aktivitete tematike e përkujtimore. Në orën 10:00 mbahen homazhe tek varri i heroit të kombit, Afrim Zhitia në fshatin Llugë të Besianës. Në orën 12:00 mbahen homazhe tek varri i heroit të kombit, Fahri Fazliu në fshatin Llaushë të Besianës. Në orën 14:00 mbahen homazhe tek vendi i rënies së tyre në Breg të Diellit në Prishtinë. Kurse Akademia përkujtimore mbahet në orën 17:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Më 2 nëntor të vitit 1989, në Kodrën e Diellit, në Prishtinë, pas disa orë luftimesh, tymi e zjarri, duke  luftuar deri në frymën dhe fishekun e fundit, kanë rënë dëshmorë: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Atë ditë forcat e milicisë së Serbisë, vranë dy luftëtarë të paepur të lirisë, dy bijë besnikë të Kosovës shumë herë të përgjakur, por fituan tmerrin e përjetshëm nga qëndresa shqiptare. Dëshmori, Fahri Fazliu ishte i lindur më 24 shkurt të vitit 1963, në fshatin Llaushë të Besianës.  Afrim Zhitia, u lind në fshatin Llugë të Besianës më 14 shkurt  të  vitit 1965.

…Në demonstratat e tetorit dhe nëntorit të vitit 1989, ishte kthyer  fryma e protestave të vitit 1981, pas disa demonstratave paraprake në vijën institucionale për mbrojtjen e autonomisë së Kosovës, të cilën e kishte pezulluar regjimi i Milodheviqit. Në ditët e fundit të tetorit dhe në fillim të nëntorit të atij viti, protestat kishin qenë të fuqishme në manifestimin e kërkesë për Kosovën Republikë. Në ato protesta ishin dalluar shumë militantë të lirisë, në mesin e tyre sidomos, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe Bedri Sokoli i cili kishte rënë më 1 nëntor në ballë të demonstratave, në qendër  të Prishtinës. Ato ditë ishin ballafaquar me milicinë jugosllave edhe Afrim Zhitia, i cili kishte mbajtur një fjalim revolucionar para protestuesve  dhe Fahri Fazliu. Të dy këta kishin arritur t’ i shpëtonin arrestit dhe ndërkohë ishin barrikaduar në një shtëpi, në Lagjen Bregu i Diellit,  në Prishtinë. Meqë milicia dhe inspektorët e UDB-së, u kishin rënë në gjurmë, pak kohë më vonë i kishin rrethuar me forca të shumta. Pas një qëndrese spartane përballë një force në raport  një me 100 kishin rënë dëshmorë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu… (RKL)

Share.