Kombëtarja e Kosovës të dielën mbyll ciklin kualifikues për Euro 2020, ku në ‘Fadil Vokrri’ pret Kombëtaren e Anglisë.

Mijëra tifozë anglezë gjatë kësaj fundjave ia kanë mësyer Kosovës, fillimisht për të parë ndeshjen e po ashtu për t’i bërë një vizitë vendit të ri evropian.

Tifozët anglezë do të jenë dëshmitarë të një mirëpritje të organizuar në Kosovë enkas për ta.

Mesazhe mirëpritje janë vendosur nga aeroporti ‘Adem Jashari’, e deri në qendër të Prishtinës.

Për mirëpritjen e organizuar nga kosovarët, kanë filluar të shkruajnë edhe mediet në Angli, të cilat kanë mbetur të mahnitur nga ajo që po ndodh në Kosovë para ndeshjes të së dielës.

‘The Sun’ shkruan se në Kosovë kanë bërë organizim të jashtëzakonshëm për t’i bërë lojtarët dhe tifozët e Anglisë që të ndjehen të mirëpritur në Prishtinë, përcjell lajmi.net.

Kjo media shkruan për billbordet e vendosura në Prishtinë drejtuar Raheem Sterling me “Welcome brother” (mirësevjen vëlla), lojtar ky i cili përjetoi një racizëm të paparë në vendet ballkanike.

“Ne kemi përjetuar luftën dhe racizmin. Ne nuk duam që dikush tjetër ta përjetojë atë”, ka deklaruar kreu i FFK-së, Agim Ademi.

“Kjo ndeshje do të jetë një mesazh që çdo lojë futbolli duhet të jetë argëtuese. Unë dua të them për njerëzit e Anglisë se ky vend është edhe shtëpia juaj. Do të ndjeheni të sigurt”.

Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë luhet të dielën me fillim nga ora 18:00

Share.