Me moton “Planeti jonë, Shëndeti jonë” edhe në Kosovë sot është shënuar Dita Botërore Shëndetit.
Akterët më të rëndësishëm të shëndetësisë kanë bërë thirrje për vetëdijesim karshi mbrojtjes së shëndetit dhe po ashtu edhe ambientit. Ndërsa, u tha se me pandeminë COVID-19, sistemi shëndetësor kosovarë është treguar stabil dhe ka ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani u shpreh se sipas OBSh-së, mbi 13 milionë njerëz vdesin për shkaqe mjedisore.
Ai theksoi se ushqimet dhe pijet e pashëndetshme po ndikojnë në shfaqjen e obezitetit, kanceri e sëmundjeve të zemrës.
Ramadani: Ushqimi dhe pijet e pashëndetshme po ndikojnë në paraqitjen e shumë sëmundjeve
“OBSH vlerëson se më shumë se 13 milionë vdekje në mbarë vit shkaktohen në mbarë botën për shkak të shkaqeve mjedisore të cilat mund të jenë të pranishëm, andaj edhe u është përkushtuar kjo ditë sivjet shëndetit mjedisor. Globalisht vendimet politike e sociale tregtare kanë nxitur krizën klimatike dhe shëndetësore dhe mbi 90% e njerëzve thithin ajër të papastër që vjen nga djegia e lëndëve djegëse si thëngjilli nafta. Me ngrohjen globale, gjithashtu mushkonjat që përhapin shumë sëmundje janë shpeshtuar si kurrë më parë. Ndryshimet ekstreme të motit dhe degradimi i tokës dhe mungesa e ujit po ndikon në zhvendosjen e njerëzve por rrezikon shëndetin e tyre….Industritë që përpunoj ushqim dhe pije të pashëndetshme çdo ditë e më shumë po ndikojnë në paraqitjen e obezitetit apo mbipeshës, sëmundjeve të kanceri dhe ato të zemrës. Pandemia COVID-19 përderisa fuqizoi dijen e shkencës ajo gjithashtu theksoi pabarazitë në botën tonë. Pandemia zbuloi dobësitë në të gjitha fushat dhe nënvizoi urgjencën e krijimit të një shoqërie me mirëqenie të përkushtueshme për arritjen e barazisë në shëndet”, tha Ramadani.
Por sipas kreut të IKSHP-së, sistemi shëndetësor kosovarë me pandeminë COVID-19, ka dhënë provimin e vetë duke mos kolapsuar dhe duke ruajtur shëndetin e popullatës.
Ramadani: Sistemi shëndetësor në Kosovë ka dhënë provimin e vetë
“Mund të themi lirisht se ne do të radhitemi përfundimisht te sistemet shëndetësore më stabile që kanë qenë gjatë pandemisë COVID-19, duke pasur parasysh gjithë ato parametra dhe si ka rrjedh situata me pandeminë dhe se sot mund të them se ne akoma nuk i kemi të përllogaritura në saktësi, por ato që dihen deri sot është se sistemi shëndetësor në Kosovë e ka dhënë provimin e vetë duke mos kolabuar dhe duke ruajtur shëndetin e popullatës për të gjithë”, theksoi ai.
Kurse, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha u shpreh se si ministri janë duke punuar në hartimin e strategjisë së re sektoriale të shëndetësisë për një periudhë 10 vjeçare, përmes të cilës synohet të ulet vdekshmëria dhe sëmundshmëria.
Ai theksoi se me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për jetë të shëndetshme kanë miratuar plane veprimi për promovim dhe edukim shëndetësor gjatë vitit të kaluar.
Berisha: Po punojmë në hartimit të strategjisë së re shëndetësore 10 vjeçare
“Pandemia COVID-19 ka sfiduar seriozisht sistemet shëndetësore dhje ka nxjerr në pah rëndësinë e investimeve në shëndetësinë sidomos në atë publike sidomos në resurse njerëzore mësimet e nxjerra gjatë këtyre dy viteve na mësojmë se planifikimet për sigurimin e një mirëqenie dhe shëndetit afatgjatë duhet marr në konsideratë patjetër reduktimin e faktorëve të rrezikut të cilët ka kosto më të lirë. Ministria ka fillua procesin e hartimit të Strategjisë së Re Sektoriale Shëndetësore 10 vjeçare ku do të adresohen edhe aspektet e përmirësimit të indaktorëve shëndetësor të ndërlidhen me faktor mjedisor. Ftojë të gjithë akterët që të bëhen pjesë për t krijuar një strategji impakti i së cilës do të jetë zvogëlimi i sëmundshmëruisë dhe vdekshmërisë dhe përmirësimi i mirëqenies dhe kualitetit të shërbimeve shëndetësore dhe jetës në përgjithësi”, u shpreh Berisha.
Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Qavdarbasha deklaroi se për rritjen mirëqenies së shëndetit publik bashkëpunimi ndërinstitucional është jetik.
Qavderbasha shpalosi disa nga politikat e kësaj ministrie përmes të cilave synohet të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm.
Qavdarbasha: Kemi hartuar politikat për të arritur te një zhvillim i qëndrueshëm
“Politika për parandalimin e ndryshimeve klimatike dhe reziliencës, politika e transportit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës miqësore ndaj mjedisit, zhvillimi i balancuar urban, rural, si dhe rritja e mençur të gjitha këto janë temat kyçe të cilat e karakterizojnë fokusin dhe orientim e MMPHI-së në këtë mandat, e gjithë kjo me qëllim të koordinimit dhe bashkërendimit të hapave në të gjithë sektorët për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh ajo.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovës, Oleksandr Martynenko u shpreh se OBSH bën një thirrje urgjente për veprim të përshpejtuar për të ruajtur dhe mbrojtur shëndetin dhe për të zbutur krizën klimatike.
Ai tha se kriza klimatike, mungesa e ujit të pijshëm, përdorimi i ushqimeve jo të shëndetshme dhe pirja e duhanit po shkakton miliona vdekje në botë.
Sipas tij, nga përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve afro 5 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje që do të mund të ishin trajtuar me antibiotikë ekzistues.
Martynenko: Si OBSH bëjmë thirrje të ndërmerren veprime në mbrojtje të planetit dhe shëndetit të njeriut
“Një botë me ngrohje klimatike po sheh që mushkonjat të përhapin sëmundje më shumë dhe më shpejt se kurrë më parë. Ndryshimet ekstreme të motit, humbja e biodiversitetit, degradimi i tokës dhe mungesa e ujit po zhvendosin njerëzit dhe po ndikojnë në shëndetin e tyre. OBSH vlerëson se më shumë se 13 milionë vdekje në mbarë botën çdo vit shkaktohen nga shkaqe mjedisore të shmangshme, nga të cilat 1.4 milionë janë në Rajonin Evropian të OBSH-së. Janë 1.4 milionë jetë që mund të ishin shpëtuar……OBSH dhe i gjithë komuniteti i OKB-së u bën thirrje liderëve politikë, organizatave, korporatave dhe të gjithë njerëzve që të ndajnë përgjegjësinë dhe veprimet që po ndërmarrin për të mbrojtur planetin dhe shëndetin e njeriut”, tha ai.
/TV Malisheva